“Humbësi i keq është dikush që nuk arrin dot ta pranojë se ka merituar të humbë një ndeshje, një garë, një sfidë dhe insiston në faktin që i thotë imagjinata se i kanë bërë një hile, se dikush tjetër pa meritë ju ka marrë atë që ju takonte, se këtu nuk i jepet asnjëherë merita atij që i takon, se këtu dikush dha para e se dikush tjetër dha fjalën për një krushqi e të tjera e të tjera, çka është edhe rruga për të vazhduar të jesh humbës”, kështu u shpreh kryeministri Edi Rama gjatë takimit në Elbasan me të rinjtë fitues të start up.
“Ndodh shpesh për shkak se përgjithësisht ne dhe sidomos burrat shqiptarë, sidomos djemtë shqiptarë, jo aq shumë gratë dhe vajzat, të jemi humbës shumë të këqij. Humbësi i keq është dikush që nuk arrin dot ta pranojë se ka merituar të humbë një ndeshje, një garë, një sfidë dhe insiston në faktin që i thotë imagjinata se i kanë bërë një hile, se dikush tjetër pa meritë ju ka marrë atë që ju takonte, se këtu nuk i jepet asnjëherë merita atij që i takon, se këtu dikush dha para e se dikush tjetër dha fjalën për një krushqi e të tjera e të tjera, çka është edhe rruga për të vazhduar të jesh humbës.
Ndërkohë që humbësit e mirë janë ata që i kthehen vetes edhe nuk rrinë të gjejnë arsye pas arsyesh, duke fantazuar ose nuk justifikohen me faktin që vërtetë në një rast mund të ketë ndodhur që dhe të kenë humbur padrejtësisht, por motivojnë njëri-tjetrin si skuadër për të bërë gjënë e duhur dhe për të fituar në ndeshjen e ardhshme. Dhe për më tepër në këtë rrugë, parafytyroheni se sa shumë konkurrencë do të ketë vit pas viti dhe sa shumë konkurrencë ka në këtë botë, për të kuptuar se që të jesh tek pjesa fituese nuk është rregulli, por është përjashtimi. Dhe për të kuptuar se pastaj që të ëndërrosh, që të krijosh një unikorn duhet të jesh përjashtim i përjashtimeve, por ama kjo botë është pikërisht e ëndërrimtarëve që guxojnë dhe patjetër që nëse dikush ka një ëndërr që e shikon me sy hapur, e shikon sepse mund ta realizojë. Unë nuk kam parë ndonjëherë me sy hapur ëndrrën që të bëhem këngëtar, sepse nuk më ka ardhur ajo ëndërr ngaqë s’ka pasur kushte organizmi dhe mendja që ta prodhojë këtë ide, por kur ti me sy hapur shikon që mund të dalësh në një majë, është vetëm çështje vullneti dhe force për të dalë, se të gjithë shohin ëndrra, por jo të gjithë i realizojnë sepse jo të gjithë janë të gatshëm që të bëjnë të gjitha sakrificat që ëndrra kërkon për të arritur që të të lejojë ta prekësh dhe në botën e teknologjisë të gjithë janë në të drejtën e tyre që të shohin ëndrra të mëdha. Të gjithë janë në të drejtën e tyre që të ëndërrojnë që të jenë Steve Jobs i radhës duke filluar nga Steve Jobs i shkollës, Steve Jobs i Elbasanit, Steve Jobs i Shqipërisë e pastaj me radhë e me radhë. Normale fare! Por ama, që mundësia për t’ia dalë sot falë teknologjisë është po aq e jashtëzakonshme sa dhe vetë shpejtësia e teknologjisë, është diçka që duhet të mos e harroni për asnjë çast dhe duhet ta mbani parasysh sa herë që mendoni se çfarë do bëj nesër dhe natyrisht këtu flas për ata që kanë një talent në këtë në këtë drejtim dhe ju që jeni këtu, besoj që jeni këtu pikërisht sepse në një mënyrë ose në ndonjë tjetër e dëshironi këtë fushë, besoni tek kjo fushë.
Kështu që duke ju uruar shumë sukses atyre që kanë fituar, duke ju uruar durim edhe kurajë edhe kokëfortësi atyre që nuk kanë fituar, duke ju kujtuar të gjitha vajzave që janë këtu të pranishme se numri i vajzave fituese në këto thirrje është rritur dhe vazhdon të rritet, ju uroj çdo të mirë, çdo sukses dhe uroj që ta ktheni Elbasanin në një vend që të tregohet nga larg si vendi i shumë startup-eve dhe i shumë vajzave dhe djemve që krijojnë mirëqenie për vete dhe për qytetin, duke qëndruar besnikërisht këtu dhe duke dalë jashtë pastaj për qejf apo për ndonjë qokë romantike.” tha Rama.


