Buron Kaceli tregon portretin më të bukur në karrierë: Ia kam realizuar babait tim, e kam pasur prind, shokë dhe profesor

schedule10:23 - 26 Prill, 2024

schedule 10:23 - 26 Prill, 2024

Piktori Buron Kaceli ka veçuar si portretin më të bukur në karrierën e tij portretin që i ka realizuar babait të ndjerë, me të cilin përveç se si prind kishte një marrëdhënie si shokë dhe si profesor pikture.

I ftuar në emisionin “Pas Mesnate”, ai ka theksuar se gjinia e portretit është më e preferuara nga të gjithë artistët, njëkohësisht edhe më e vështira. Kjo pasi, sipas Kacelit, portreti do psikologji, ndjenjë dhe karakter për të kuptuar personin që ke përballë.

“Portreti është njeriu dhe për çdo artist është shumë i dashur nga katër gjinitë që ka arti pamor. Portreti është njeriu, gjendja e brendshme, gjendja psikologjike, gjendja shpirtërore, që artisti nuk mund të jetë kurrë indiferentë. Çdo njëri ka një natyrë të vetën, një karakter të vetin, reagon ndryshe në çdo situatë. Është një mrekulli, kur piktori lidhet me një portret dhe thellohet për ta realizuar atë. Portreti është gjinia më e bukur për mua dhe më e vështira. Sepse aparati fotografik bën portrete dhe ngjan me ndonjë person, kur është fotograf artist i vërtetë arrin të kapi dhe një moment me anë të aparatit të tij, një moment që zbërthen karakterin. Kurse artisti ka avantazhin që nuk ka thjesht një moment, por ka të gjitha momentet, bisedon me të dhe thellohet në botën shpirtërore të tij. Në qoftë se arrin ta nxjerri këtë botë në telajo, ajo është arritje e madhe. Artistët e mëdhenj e kanë realizuar portretin, duke jetuar fillimisht me personazhin. Nuk është se janë ulur rastësisht dhe e kanë bërë. Por e kanë dashur atë filozof, atë djalë ose atë vajzë, atë femër të bukur.

Kam disa portrete të bukura, por ndoshta portreti më i mirë është ai që i kam bërë tim eti, të cilin natyrisht e kam pasur prind, shokë, profesor. E kam bërë pasi ai është ndarë nga jeta dhe kur e kam vendosur në ekspozitë të gjithë miqtë, shokët dhe kolegët më kanë komplimentuar”, tha piktori./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!