Burime diplomatike në Francë: S’ka liberalizim vizash për Kosovën pa përmbushur kushtet

schedule15:12 - 29 Tetor, 2019

schedule 15:12 - 29 Tetor, 2019

Mundësitë që liberalizimi i vizave të jetë dhuratë për Kosovën në prag të Krishtlindjeve janë inekzistente. Përveç Gjermanisë, duket se askush tjetër prej shteteve anëtare të Bashkimit Evropian nuk mendon se kosovarëve duhet t’u hiqet regjimi i vizave brenda një kohe të shkurtër, derisa Republika e Kosovës të përmbushë kushtin për sundimin e ligjit dhe luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Burime diplomatike në Francë konfirmuan për gazetën Express se nuk do të ketë liberalizim të vizave për Kosovën në prag të Krishtlindjeve. Burimet thanë se për heqjen e regjimit të liberalizimit të vizave kërkohet përmbushja e disa kushteve, përfshirë këtu sundimin e ligjit dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Sipas këtij burimi, përveç Francës, janë edhe disa shtete të tjera anëtare që vlerësojnë se Kosova nuk ka përmbushur të gjitha kushtet, dhe Parisi zyrtar do të vëzhgojë me vëmendje avancimin e Kosovës në fushën e sundimit të ligjit dhe në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Franca beson, së bashku me disa shtete anëtare, se Kosova nuk i ka përmbushur të gjitha kushtet, dhe do të ndjekë me vëmendje zhvillimin në fushën e sundimit të ligjit dhe në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Sipas zyrtarit të lartë francez, puna e bërë deri tani nga institucionet e Kosovës nuk është e mjaftueshme për të prodhuar rezultate të prekshme, dhe se është e nevojshme që të vazhdohet me zbatim të reformave dhe zbatim të qëndrueshëm të tyre.

Zhvillimet pozitive në këtë fushë, siç është miratimi i disa ligjeve për sundim të ligjit në Parlamentin e Kosovës dhe reformimi në gjyqësor në veçanti, janë të pamjaftueshme për të prodhuar rezultate të prekshme. Zbatimi i vazhdueshëm i reformave është jetike në mënyrë që ligjet të mund të zbatohen në mënyrë të qëndrueshme,  ka thënë ky burim diplomatik duke shtuar se kjo temë do të shqyrtohet nga Këshilli i BE-së dhe do të kthehet për diskutim kur të përmbushen kushtet.

Kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj kishte marrë një “PO” nga ministri i Punëve të Brendshme të Gjermanisë, Horst Seehofer lidhur me liberalizimin e vizave dhe i njëjti premtim ishte bërë nga deputeti Peter Beyer nga CDU-ja e kancelares Angela Merkel. /ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!