Burgjet, nuk ndryshon numri i të izoluarve në qeli

schedule15:24 - 5 Shtator, 2018

schedule 15:24 - 5 Shtator, 2018

Nisja e zbatimit të Reformës në Drejtësi nuk është reflektuar në politikat penale. Shifrat zyrtare flasin për të njëjtin numër të burgosurish dhe paraburgosurish gjatë korrikut 2018 me atë të një vitit me parë. Veprat penale me e shpeshtë që ka çuar persona pas hekurave mbeten ato në lidhje me narkotikë.

“Prokuroria duhet të mendohet dy herë kur kërkon një masë sigurie “arrest në burg”, ishte sugjerimi i vëzhguesit Teo Jacobs ndërkombëtar në seancën dëgjimore për kryeprokuroren Arta Marku, pasi konstatoi me shqetësim numrin e lartë të burgosurve në Shqipëri në krahasim me vendet e rajonit. Por me gjithë këtë evidentim, apo raportin e Organizatës Botërore të Burgjeve pranverën e vitit 2018, që listoi Shqipërinë si vendin me numër më të lartë të të izoluarve në qeli në Ballkan, shifrat mbeten të pandryshueshme.

Sipas të dhënave zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, gjatë muajit korrik 2018 në burgjet dhe paraburgimet e vendit numëroheshin 5294 persona në total, nga të cilët 100 janë femra. Me gjithë ndryshimet dinamike të totalit për shkak të lirimeve, apo arrestimeve, në krahasim me korrikun e vitit të kaluar këtë verë, në burg kanq qenë 41 persona më shumë. Referuar statistikave zyrtare, numri më i madh i të dënuarve i përket grupmoshës 25-30 vjeç, ndërsa vepra penale për të cilën vuajnë dënim më shumë persona, plot 978 persona është përfshirja në çështjet e drogës.

Institucioni ku vuajnë dënimin më shumë persona në rang vendi gjatë korrikut është burgi i Fierit me 715 të dënuar. Çështjet e narkotikëve janë “mëkati” më i ndeshur edhe tek personat e paraburgosur. Në gjuhën e shifrave, 738 vetë vuajnë masën “arrest në burg” për këto vepra penale. Në rang zbritës, këto vepra ndiqen nga “vjedhjet” dhe më tej nga të akuzuarit për “vrasje”, plot 185 të tilla. Pesha e shifrave duket se rëndohet nëse llogaritet edhe kostoja financiare në buxhetin e shtetit për çdo të burgosur apo paraburgosur. Duke llogaritur të gjitha shpenzimet e kërkuara, përfshi ushqimin, transportin, pagesat e punonjësve të policisë apo shërbimet të tjera kostoja ditore e një personi të izoluar shkon nga 2 mijë lekë në ditë për meshkujt dhe nga 5 deri në 5.7 mijë lekë në ditë për femrat.

Korrik 2018

Të dënuar 3162
Të paraburgosur 2132/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!