Burg pa afat për pronarin që terrorizoi turistët

schedule11:57 - 18 Gusht, 2019

schedule 11:57 - 18 Gusht, 2019

Pronari i lokalit që sulmoi dhe terrorizoi turistët spanjollë do të qëndrojë në burg. Gjykata e Vlorës pavarësisht garancisë së afruar nga avokatët dhe pretendimeve të tyre nuk bëri asnjë tolerim. Vetë Mihal Kokëdhima tha se ishin turistët ata që e morën para me makinë.

Mihal Kokëdhima u la në burg nga Gjykata e Vlorës. Kjo është masa e sigurisë nga gjyqtarja Esmeralda Habilaj. 51-vjeçari akuzohet për “kanosje”, “dëmtime të tjera me dashje” dhe “shkatërrim të pronës”.

Mihal Kokëdhima, u arrestua tre ditë më parë nga policia, pasi sulmoi dhe rrezikoi jetën e një grupi turistësh spanjollë. Ai u hodh mbi kofanon e furgonit ku ata udhëtonin, dhe në tre kilometra rrugë në ecje i ka terrorizuar. Theu xhamin dhe bërtistë.

Kjo ndodhi pasi turistët u larguan nga restoranti i tij në “Porto Palermo” të Himarës. Ata pritën gjatë për porosinë që nuk u erdhi.

Vetë Mihal Kokëdhima pretendoi  se ishin turistët që tentuan ta shtypnin me furgon dhe se ai iu hodh automjetit për të shpëtuar. Avokatët e tij të studios “Cakrani” kërkuan masë më të lehtë se arresti me burg siç kërkoi prokurori Saimir Smaka.

Mbrojtja ngriti pretendimet se nuk qëndron asnjë nga akuzat e ngritura,  prandaj ai nuk duhet mbajtur në burg. Avokatët kërkuan që Mihal Kokëdhima të lirohet me garanci pasurore deri në 3 mijë euro, ose një vlerë tjetër që ta përcaktojë gjykata.

Ndërkohë po bëhen verifikime pasi restoranti i ndërtuar mbi plazh në Porto Palermo, rezulton prej vitesh (para 2012-s) pa leje dhe është në proces legalizimi. /ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!