Burg pa afat për Nazer Seitin, i cilësuar “financier” i Habilajve 

schedule12:27 - 8 Nëntor, 2017

schedule 12:27 - 8 Nëntor, 2017

Gjykata për Krimet e Rënda caktoi masën e sigurisë “arrest në burg” për Nezar Seitin, i dyshuar si financier i grupit kriminal të Habilajve. Togat e zeza pranuan kërkesën e prokurorisë, pasi u njohën me një sërë provash të reja, pjesë e akteve të përcjella nga hetuesit italianë. Vendimi i Krimeve pret shpresat e Seitit për ekstradim në Itali.

Disa prova të reja të paraqitura nga Prokurorët për Krimet e Rënda bindën gjykatën të japë një masë të re sigurie për Nezar Seitin, i dyshuar si financieri i grupit të Habilajve. Këtë të mërkurë, 6 ditë para skadimit të masës izoluese me afat 20 ditor ndaj tij, Gjykata e Krimeve e la në “arrest në burg” deri në përfundim të hetimit.
Prokurorët e bazuan kërkesën e tyre në prova të ardhura nga Prokuroria e Katanias, kryesisht përgjime ambientale, që faktojnë bashkëpunimin e Seitit dhe Moisi Habilajt në pazaret e drogës.
Referuar akteve të përcjella nga hetuesit italianë, emri i Moisi Habilajt ka dalë në skenë në vitin 2012, gjatë operacionit antidrogë të koduar “Odesa”. Në këtë operacion është arrestuar Elson Zhurda, i njohur me nofkën “Maloku”. Hetimet kanë zbuluar se një kontaktet më të shpeshta telefonike të tij ishin me Moisi Habilajn. Sipas prokurorëve, të dyshuarit janë zënë mat nga përgjuesit e vendosur në mjetet e tyre.

Në një bisedë pas arrestimit të një prej anëtarëve të grupit, Florian e Moisi Habilajt dhe Nezar Seitit diskutojnë për një shumë parash, që do ia japin avokatit të tij. “Janë 200 mijë euro, ku do i fusim”, shprehej Seiti.
Në një tjetër bisedë të përgjuar Seiti i shpreh shqetësim Moisi Habilajt se mos u del ndonjë problem. “Pa merak”, e qetëson Habilaj.
Sipas prokurorëve, të dyshuarit në vijimësi kanë patur dyshime mos ishin në përgjim. Për këtë shkak ata kanë kontrolluar herë pas here mjetet, por pa mundur të gjejnë përgjuesit.
Prokurorët shpjeguan se në të paktën 8 raste, kur konstatohej se Nezar Seiti dhe Moisi Habilaj, vizitonin vende në bregdetin italian, në 72 orët në vijim aty bllokohej sasi droge që vinte me gomone nga Shqipëria.

Avokati Detar Hysi këmbënguli se aktet e paraqitura si prova nuk janë marrë në formën e kërkuar nga ligji. Sipas tij, proavat e paraqitura i përkasin procedimit penal në Itali dhe jo atij në Shqipëri.
Përmes avokatit të tij, Seiti ritheksoi faktin se ai ka dhënë pëlqim për t’u ekstraduar. Por vendimi i sotëm i Gjykatës i pret shpresat e Seitit për ekstradim. Jashtë sallës së gjyqit, avokati tha se Prokuroria për Krimet e Rënda ka tejkaluar çdo kompetencë, duke përdorur akte të sjella në rrugë primitive.
Nezar Seiti u arrestua në Vlorë në 19 tetor në zbatim të një urdhër –arresti të Gjykatës së Katanias. Ndaj tij u nis një procedim penal edhe nga Prokuroria për Krimet e Rënda. Aktualisht ndaj Seitit ekzistojnë dy masa sigurie, si edhe një masë “arrest në burg” me afat 20 ditor për qëllime ekstradimi./abcnews.al

 

https://youtu.be/Tl4AwbQpAOI