Gjykata e Tiranës la në masën burg pa afat, agjentin e krimeve në komisariatin nr 2, Ledion Bako i akuzuar për shpërndarje lëndësh narkotike. Për 3 të ndaluarit e tjerë, gjykata caktoi masën e sigurisë arrest me burg për 30 ditë.
Gjykata e Tiranës ka lënë në burg pa afat punonjësin e policisë Ledion Bako i cili u kap me drogë tre ditë më parë. Agjenti i krimeve në komisariatit nr.2 u arrestua gjatë një operacioni për zbulimin dhe ndalimin e një grupi që merrej me shpërndarjen e lëndëve narkotike.
Para gjykatës Ledion Bako nuk e ka pranuar akuzën e ngritur nga Prokuroria. Sipas organit të akuzës efektivit i është gjetur një sasi prej 30 gramësh lëndë narkotike dhe një armë pa leje, brënda në makinë. Agjenti i krimeve në komisariatin nr.2 në kryeqytet akuzohet për shpërndarje narkotikësh, shpërdorim detyre, dhe armëmbajtje pa leje. Bako u ndalua mbrëmjen e të martës në zonën e Linzës në Dajt, në momentin kur po udhëtonte me makinë së bashku me personat e tjerë. Prokurorinë e Tiranës zhvilloi një hetim të plotë, duke aplikuar metoda speciale hetimi. Nga hetimet për rreth 3 muaj, u siguruan prova se punonjësi i Policisë, në bashkëpunim me persona të tjerë, përveç se ishin përdorues, shpërndanin edhe lëndë narkotike. Sipas organit të akuzës 27 vjeçari Bako, duke keqpërdorur atributet që i jepte detyra, siguronte mbarëvajtjen e këtij aktiviteti të kundërligjshëm.
3 personat e tjerë të ndaluar për shpërndarje lëndësh narkotike, Aurel Klosi, Ergys Mëcuku dhe Joan Kavaja, u lanë në arrest me burg për 30 ditë. /ABC News Albania 24/7