Betejë deklaratash, mes Kukësit e Partizanit dhe në mes është FSHF. Një deklaratë e Gerald Burbës, Sekretarit të Përgjithshëm të klubit të kuq, bëri që klubi verilindor të reagonte, ndërkohë që tani vjen edhe replika e radhës. Nuk mungojnë ngacmimet, si për Kukësin, ashtu edhe për FSHF-në.
LEXO EDHE: “FSHF financon provincat”, Kukësi i kthen reston Partizanit: Ziliqarë!
REAGIMI – Nisur nga një reagim publik i FK Kukësit ndaj meje, për një prononcim të shkurtër dhënë në median e shkruar “Panorama Sport” , nëpërmjet të cilës jam pyetur nëse më duket normale që bëhen investime nga ana e FSHF në vlera 3.2 milion euro për ndërtimin e stadiumit të klubit të Kukësit dhe për kompleksin sportiv të Partizanit nuk akordohet asnjë fond, dëshiroj të sqaroj se:
Së pari, e konsideroj të pakuptimtë që për një prononcim (duhet lexuar) që i adresohej problematikës së politikave të investimeve të FSHF në raport me Partizanin vjen një reagim nga FK Kukësi, i cili ngjason si hartim i përshtatur nga ndonjë fushatë elektorale, ku miksohen tinëzisht traditat e admirueshme kuksiane, qytetarët e nderuar kuksianë dhe historia e themelimit të klubit, të cilat nuk i ka vënë askush në diskutim dhe as ka patur për qëllim ti fyejë.
Në këtë kontekst, më duket edhe më e habitshme se si një apo disa pjesëtarë të FK Kukësit marrin përsipër që të flasin në emër të të gjithë qytetarëve të qytetit të Kukësit dhe të traditave të tij, apo të dalin në mbrojtje të tyre, pa patur asnjë arsye apo ngacmim nga askush. Për sa i përket arritjeve sportive përgjatë këtyre viteve të fundit të klubit që ka zgjedhur të mbajë emrin e qytetit të Kukësit, konstatova që në deklaratën e tyre është harruar të përmendet specifikisht dhe fitimi i një kampionati, i cili mbase duhej cituar tek rubrika e falënderimeve…
Së dyti, në vijim te prononcimit në median “Panorama Sport”, pa dashur të bëj avokatin e klubeve të tjera elitare që kanë bërë e vazhdojnë ta bëjnë historinë e futbollit shqiptar, si dhe kanë dhënë e me shumë mund vijojnë të japin për të, si Flamurtari, Tirana, Dinamo, etj., i qëndroj fort mendimit që nuk është as normale, as e drejtë dhe madje selektive që për këto klube, veçanërisht për Partizanin klub të cilin përfaqësoj, nuk është dhënë asnjë qindarkë investimi në infrastrukture nga fondet e akorduara nga UEFA për zhvillimin e futbollit shqiptar, të cilat menaxhohen nga FSHF.
Më se shumti, klubet kryeqytetase, sidomos Partizani, kanë vuajtur mungesën e investimeve dhe të ndihmës nga FSHF, çka është lehtësisht e konstatueshme po të shikosh gjendjen e tyre aktuale në infrastrukturë. Edhe ato investime që janë bërë nga FSHF në kryeqytet për ndërtimin e terreneve sportive, menaxhohen po nga ajo vetë, si psh. Qendra Stërvitore në Kamez, terrenet të cilat po ndërtohen në ish kompleksin Dinamo apo dhe Stadiumi “Air Albania” , të cilat për tu përdorur (nga halli) me qera duhet të paguash sa “frëngu pulën”.
Së treti, personalisht mbetem i opinionit që futbolli ka një mision të theksuar social. Në këtë këndvështrim, besoj se edhe misioni i programit “HatTrick” është për të ndihmuar projekte sportive me impakt social të qenësishëm. Në kushtet kur 2 nga 3 klube të kryeqytetit, me kontribut të jashtëzakonshëm në futbollin shqiptar, nuk disponojnë asnjë terren sportiv si pasojë e shpronësimeve të ndryshme apo lojërave politike, nuk me rezulton proporcionale që 75% e buxhetit të akorduar nga UEFA ti alokohet një projekti të miratuar rishtaz, në funksion të një klubi të vetëm.
Veçanërisht, kur projekti i kompleksit sportiv “Partizani” është tërësisht një financim privat që ka nisur prej vitesh, nuk është absolutisht logjike që mos të ketë asnjë lloj mbështetje nga institucioni i cili prezumohet se përfaqëson interesat e të gjitha klubeve shqiptare.
Ky debat i krijuar nga kolegët e FK Kukesit, që mesa duket dhe kur nuk përmenden nominalisht, ndihen të cenuar, tingëllon si një diversiv ndaj thelbit të diskutimit. E theksoj, këtu nuk kemi të bëjmë me krahasimin ndërmjet vlerave të klubit që unë përfaqësoj me atë të FK Kukësit, por me politikën e investimeve të FSHF-së, për sa i përket klubit Partizani. Nuk flas si tifoz kur them që krahasim ndërmjet klubeve nuk mund të bëhet. Në dijeninë time, Panajot Pano e qindra futbollistë të tjerë të kombëtares nuk vinin nga radhët e Përparimit, siç është njohur dikur FK Kukësi”, shkruan Burba në reagimin e tij. /abcnews.al