Bullgaria mbylli sërish derën e negociatave, pas Maqedonisë Varhelyi mbërrin sot në Tiranë

schedule08:22 - 28 Prill, 2022

schedule 08:22 - 28 Prill, 2022

Komisioneri për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi do të vizitojë këtë të enjte Tiranën. Kjo vizitë vjen në kuadër të turit të Varhelyit në Ballkanin Perëndimor. Komisioneri për Zgjerim i Bashkimit Evropian dje shkoi në Shkup nga Sofja, ku nuk arriti të bind autoritetet bullgare për zhbllokimin e rrugës së Maqedonisë së Veriut drejt integrimit në BE.

Vizita e tij në Shkup po kalon pa shumë bujë. Autoritetet qeveritare nuk njoftuan axhendën e takimeve, e as vetë zoti Varhelyi nuk dëshiroi të fliste me gazetarët.

Komisioneri shkruajti në Twitter menjëherë pas takimit me kryeministrin maqedonas për zotimet mbi vazhdimin e përpjekjeve për të filluar bisedimet para përfundimit të presidencës francëze me BE-në. “Nuk ka kohë për të humbur lidhur me shpejtimin e procedurave”, theksoi zoti Varhelyi.

“Kur e trashëguam bllokadën në bisedimet me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, po ashtu trashëguam një rajon ku hendeku social dhe ekonomik midis Bashkimit Evropian dhe Ballkanit është një nga sfidat kryesore të këtyre vendeve në përpjekjet për t’u bërë pjesë e BE-së, pa përmendu këtu çështjen e reformave institucionale, të cilat duhet të bëhen”, u shpreh zoti Varhelyi në konferencën e Sofjes.

Bullgaria duket se nuk po heq dorë nga kushtet e vëna fqinjit më të vogël dhe së fundmi qeveria në Sofje ka ritheksuar se Shkupi së pari duhet ta fusë pakicën bullgare në kushtetutë, në mënyrë që Bullgaria ta heqë veton për hapjen e bisedimeve në Bruksel.

Maqedonia e Veriut i konsideron këto si kërcënime dhe nënçmime, por nuk dëshiron nga ana tjetër të shkëputet nga procesi i lidhur i integrimeve në BE me Shqipërinë fqinje. /abcnews.al/