Ervin Bulku, ndihmësi i trajnerit Edi Reja në kombëtaren kuqezi, është i ftuar mbrëmjen e sotme në emisionin “Pressing” në ABC. Ish-mesfushori i njohur, flet rreth gjendjes së Shqipërisë dhe suksesit të arritjes së vendit të parë në Ligën C të Nations League, duke siguruar kalimin në Ligën B.
“Situata e pandemisë dhe dëmtimeve ka ndikuar që të mos e kishim të lehtë, por ishim të bindur që do dilnim në vendin e parë. I kemi dominuar kundërshtarët, trajneri ka thirrur 37 lojtarë në kombëtarë, nga të cilët vetëm 9 nuk kanë luajtur.
Kemi arritur t’i ndërthurim me pjesën tjetër të ekipit. Lojtarë si Kallaku, Broja, Çepele, Doka apo Ismajlgeci, janë përshtatur me skemat e trajnerit. E arritëm objektivin e fitimit të grupit. Kishte vetëm një ndeshje aksidentale, humbja këtu me Lituaninë.
I dominuam kundërshtarët edhe jashtë fushe, dy sfidat e fundit i fituam, duke treguar forcën dhe dominimin tonë. Skuadra ka qenë në ekuilibër dhe sot jemi këtu. Kemi kaluar në vazon B, kjo është një arritje për kombëtaren.
Për momentin, jemi në grupin B. Ka shumë gjëra që duhet të bashkohen në lidhje me koeficientet. Diçka shumë e ndërlikuar. Tani nuk do të luajmë më, jemi në vazon B për momentin“, deklaron Bulku. /abcnews.al