Lojtarët e rinj, objektivat dhe koha e pakët në dispozicion për të punuar me lojtarët te kombëtarja. Ervin Bulku flet hapur në “Pressing” për këto tema, duke theksuar se plot 10 lojtarë të rinj kanë luajtur në takimet e fundit.
Zv trajneri i Shqipërisë flet edhe për dy penalltitë e pastra që na u mohuan në Lituani, teksa e mbyll me një koment për Edi Rejën, trajnerin e kuqezinjve.
“Gati për Euro 2024? Po punojmë fort për dy ndeshjet e radhës, po i vëzhgojmë të gjithë lojtarët. E kemi një panoramë, trajneri i ka më të qarta idetë. Na presin dy ndeshje të vështira, më pas duke parë dhe duke ecur përpara.
Ju dhamë besim lojtarëve të rinj, kemi aktivizuar plot 10 lojtarë të rinj. Presion? Nuk është e lehtë të luash me kombëtaren. Kemi ftuar një lojtar 17-vjeçar, një 19-vjeçar luan dy ndeshje si titullar, kjo nuk ka ndodhur më parë.
Në ekip ke më shumë kohë të punosh, te kombëtarja tre ditë janë për të punuar. Disa lojtarë vijnë të dielën, të tjerë të hënën, nuk ka kohë të madhe për të punuar. Shpresojmë që lojtarët të luajnë sa më shumë në ekipet e tyre, diçka e tillë përmirëson gjithçka.
Lojtarët me peshë? Të gjithë janë të rëndësishëm, sidomos ata që kanë më shumë ndeshje. Penalltia? Reagimi ishte i të gjithëve, ishte penallti. Dora nuk është në pozicion natyral, ishte penallti e pastër. Reja është një tip i qetë dhe i mrekullueshëm, e ndjen shumë futbollin“, deklaron Bulku. /abcnews.al