Është ndër të paktët, ose më mirë në Shkodër i vetmi, që në studion e tij të pikturës nuk sheh asnjë pikturë tjetër veç peizazhit. Piktori Skënder Strica jo vetëm i apasionuar pas peizazhit, por siç thotë edhe vetë është i dashuruar.
“Jam i inamorum pas malësive e kryesisht malësive të veriut, ato zona i njoh aq mirë sa nuk besoj që ka piktor që i njeh më mirë se unë. Sepse falë edhe kondicionit fizik që kam deri tashti, unë nuk kam lënë maje, nuk kam lënë luginë, nuk kam lënë mal pa shkel”, tha ai.
Skender Strica është piktori nga Shkodra që lëviz shumë në natyrë, madje ai eksploron çdo ditë, vende dhe zona të ndryshme. Malësitë e veriut janë pjesa më interesante që atë e frymëzon shumë dhe se ai i viziton vazhdimisht, duke i përjetësuar me penel.
” E njoh terrenin e malësive të Pukës, malësive të Bajram Currit, të Malësive të Kukësit, malësive të Shkodrës po që po, i njoh në maje të gishtave siç thotë fjala popullore. Dhe ato male janë një perlë e vërtetë jo vetëm perla natyrore por janë një frymëzim edhe për ne piktorët. Aty e ndjej veten më mirë, jo vetëm kur pikturoj por edhe kur jam mes malesh është një, sepse është edhe një gjysëm hobi alipinistik, gjysmë hobi frymëzim natyrorë, frymëmarrje ka shumë e shumë elemente të tjera, jo vetëm thjesht te piktura, por edhe gjëra tjera unë i thithi nga zonat e veriut”, shprehet ai.
Si një piktor i ri në periudhën e para viteve 90-të Skënder Strica ka qenë i punësuar si piktor në ndërmarrjen e mirëmbajtjes së rrugëve. Madje ai shprehet se nuk kisha dëshirë të merresha me ato pikturat e realizmit socialist, ku nxirrnin punëtorët me ato buzëqeshjet false, gjeta një mënyrë që të shmangesha dhe fillova të pikturoj peizazhin….
“Para viteve 90-të kam punuar me ndërmarrjen e mirëmbajtjes së rrugëve. ….Unë besoj se ishin gjitha qesharake, sepse ishin të gjitha butafori, ishin demagogji, por ne jemi pagu për at punë….. Kam qenë me fat që kam punu në atë ndërmarrje dhe të shkosh në Theth në Vermosh, është dashtë një leje e veçantë dhe unë si piktor e kam pas at leje dhe unë tash kam kenë me fat sepse u dashurova me zonën e veriut sepse e tillë ishte edhe puna që kryeja” nënvizoi ai.
Lëvizjet e tij dhe pikturat e tij shtrihen në të gjitha stinët, por vjeshta është ajo më intriguesja është më e bukura për të dhe pret me padurim që të vij kjo stinë dhe të dal me kavaletin e tij dehe të pikturoj.
” Vjeshta është quajtur, vjeshta e piktorit…. Ka kolor ka ngjyrë ka kolor, ka emocion ka gjithçka, edhe ne kur rrimë para peizazhet ndihemi pak të frikësuar a thua arrijmë të kapim atë çka ofron vjeshta, sepse përveç asaj çka ofron ne duhet edhe ta interpretojmë. Por aty shpesh herë edhe po të mos interpretosh hiç, po të mos arrish të kapësh atë çka ofron sidomos vjeshta në malësi që është e jashtëzakonshme”, tha mes tjerash piktori.
Ai është pjesëmarrës në shumë koloni piktorësh, të cilët përveç zonave shqiptare në gjithë Ballkanin, ndërsa ndër kolonitë më të veçanta ka qenë në zonën Arbëreshë të Italisë…
“kam pas fatin të shkoj 5 herë në jugun e Italisë, me grupi e piktorëve peizazh në koloni piktorësh, ku banojnë kryesisht arbëreshet. Ka kenë vërtetë një zbulim, ka kenë një kënaqësi sepse jo vetëm thjeshtë, bukuria ku shqiptarëve u është ofruar me jetu në këto zona, dhe shqiptarët që kanë shku aty 500 vite përpara, i kanë përpunuar, i kanë rregulluar i kanë zbukuruar, dhe ajo që është më e veçanta është komunikimi në gjuhën shqipe më të”, shtoi ai.
Me penelatat e tija plot mesazhe, me kontrastet e ngjyrave vezëlluse, Skënderi pikturon peizazhet nga natyra, të cilat të lënë mbresa të vecanta. Peizazhet malor është i pranishëm në mendjen dhe penelin e Skender Stricë. Por për këtë dashuri ai falënderon profesorin e tij Sadik Kaceli.
” Ai që më ka frymëzuar ka qenë profesori im Sadik Kaceli, ai në pikturat e tij të hershme ka shumë peizazhet e mrekullueshme. Pastaj bëhet fjalë për Ismail Lulani… Dhe një ndër ata peizazhet e mrekullueshëm shkodranë është Zef Kolombi. Pavarësisht se Zef Kolombi ka jetuar për një kohë të gjatë në Elbasan, por është një peizazhisti i jashtëzakonshëm, dhe për mua është peizazhisti i parë impresionist shqiptare. Pra nëse unë jam dashuri nga puna e piktorëve shkodranë të peizazhit është Zef Kolombi”, u shpreh piktori.
Tashmë stina e pranverës i jep mundësi që të nis lëvizjet, dhe Skënder Strica do e nis këtë sezon të pikturimit të peizazhit nga Vermoshi.
” Sepse edhe rruga është shumë e mirë, kam edhe një planë për në Theth, por duhet të marr informacion sepse pranvera ashtu si edhe vjeshta, vjen shpejt dhe ikën shpejt, varet te koha”, shtoi ai.
Natyra ka ndikuar fuqishëm tek arti i Skënder Stricen për të krijuar vepra që transmetojnë emocione dhe ndjenja të veçanta. Pavarësisht moshës, Skënder Strica ndihet i ri në malet e veriut, stinët e dhe vitet nuk e ndalojnë që ai të rend pas magjisë që ofron natyra.