Kryeministri Edi Rama thotë se bujqësia është një sektor i rrezikuar, së fundmi edhe nga ndryshimet klimatike.
Gjatë fjalës së tij në tryezën e diskutimit të organizuar nga Banka e Shqipërisë mbi financimin në bujqësi, Rama u shpreh se duhet mbështetje për këtë sektor.
Ndër të tjera, kreu i qeverisë deklaroi se është i bindur se me këto financime, të gjithë do të dalin të fituar.
“Me mirëkuptimin e plotë për ngurrimin ose më saktë për arsyet e ngurrimit, por edhe më bindjen që me ndërveprim dhe me mbështetje reciproke mes Bankës Qendrore, bankave të nivelit të dytë dhe qeverisë shumë nga arsyet e ngurrimit mund të kapërcehen dhe do të kapërcehen, unë mendoj që sot jemi në një moment ku mund të ndjehemi të gjithë së bashku mirë për faktin se nga ai proces, prej disa takimesh zinxhir dhe njëkohësisht edhe nga një proces komunikimi edhe i drejtpërdrejtë mes nesh dhe jush, kemi një produkt, kemi një produkt të kombinuar mes linjës së re të financimit të Bankës së Shqipërisë dhe mbështetjes që qeveria do të japë duke arritur, faktikisht, që përmes Garancisë Sovrane të mbulojë 70% të principalit të kredisë. E kombinuar me programin e bankës, ne mund t’ju themi sot të gjithë atyre që presin më shumë financim, kërkojnë më shumë financim, ju duhet më shumë financim, në sektorin e bujqësisë, se norma e interesit do të jetë vërtetë shumë tërheqëse dhe se ne, nga ana tjetër, me të gjithë dijen e fituar nga puna e madhe që na ka dhënë 500 projekte, plot 500 projekte, falë ndërveprimit të Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural dhe sektorit, do të mund tu gjendemi pranë fermerëve, do të mund tu gjendemi pranë sipërmarrjes në fshat në mënyrë që të rrisim me një shpejtësi shumë më të madhe sesa deri më sot volumin e financimeve dhe volumin e investimeve për të arritur në 1 miliardë euro eksporte.
Nga 1 miliardë euro eksporte ne arrijmë që të vendosim edhe bujqësinë në të njëjtin nivel të arritjeve të qëndrueshme të Shqipërisë si një anëtar i ri, i vogël në përmasë, por pa diskutim dinjitoz për nga performanca e përgjithshme në Bashkimin Europian.
500 projektet e bëra në ato drejtime të përcaktuara bashkërisht me Komisionin Europian janë një garanci e madhe për ne për sa i përket dijes, eksperiencës dhe për sa i përket edhe mbështetjes së bankave të nivelit të dytë me ekspertizë për të vlerësuar projektet, bëshmërinë dhe qëndrueshmërinë e tyre.
Ndërkohë që besoj se 70% i ulur i kërkesave për kolaterale do të jetë një lehtësim shumë i madh për bankat që në mënyrë të përsëritur në takimet tona e kanë bërë të qartë, të paktën për mua, por edhe për ministrat, gatishmërinë për të mbështetur por njëkohësisht edhe nevojën për tu mbështetur sepse flasim për një sektor që është shumë i ekspozuar ndaj risqeve që kanë të bëjnë njëherë me të gjithë befasitë e natyrës klimatike, përves të gjitha të tjerave. Befasi që janë shtuar shumë kohët e fundit dhe është kthyer në një karakteristikë rënia e volumeve të reshjeve të përqëndruar në një kohë shumë të shkurtër dhe të barabarta me volumet e reshjeve që dikur shtriheshin në një, dy, tre apo katër muaj që e bën shumë problematik këtë raport mes garancisë së një investimi dhe riskut, por duke pasur parasysh, e përsëris, edhe eksperiencën, edhe dijen, edhe vullnetin e qartë për këtë bashkëpunim, unë jam i bindur që ne do të bëjmë një histori të re suksesi ku do të dalin të fituar të gjithë edhe ata që do të investojnë edhe ata që do të financojnë, por edhe vendi në tërësi që do te marrë shumë më tepër mbrapsht nga kjo përpjekje e përbashkët.”, theksoi ai./abcnews.al


