BSH: Paratë jashtë banke mbi 255 mld lekë

schedule15:41 - 23 Tetor, 2017

schedule 15:41 - 23 Tetor, 2017

Më gjithë luftën ndaj informalitetit, paratë që qarkullojnë jashtë sistemit bankar kanë ardhur duke u shtuar. Të dhënat e fundit tregojnë se, më shumë se një e pesta e parasë qarkullon dorazi.

Niveli i parasë jashtë bankës në tregun vendas është rritur dukshëm. Të dhënat e fundit të analizuara nga Banka e Shqipërisë i përkasin muajit gusht. Ato tregojnë se paratë jashtë sistemit bankar ishin mbi 255 miliardë lekë, duke u rritur edhe krahasuar me qershorin, muajin kur u zhvilluan zgjedhjet parlamentare në vend. Kjo shifër përkon me gati 20.5% të totalit të parasë në qarkullimin e brendshëm. Ekonomistët vlerësojnë se qarkullimi i parave jashtë sistemit bankar, flet për zhvillimin e ulët të tregjeve financiare, por edhe zgjerimit ndërkohë të aktiviteteve informale e ilegale.
Qarkullimi i një në pesë lekëve jashtë bankave, përben nivelin më të lartë të shtatë viteve të fundit. Rritja e qarkullimit informal filloi të zhvillohet kryesisht 4 vitet e fundit. Në fillim të 2013-s, parate në dorë ishin sa 16% e totalit.
Në çdo rast, Shqipëria vazhdon të ruajë një nivel të lartë krahasuar jo vetëm me tregun e BE-së, por edhe rajonin e Ballkanit. Fqinji ynë maqedonas, nivelin e parasë që qarkullon kesh e ka tre herë më të ulët se Shqipëria, krahasuar me totalin e parasë në qarkullim.