BSH: Kredia për blerje banesash kap nivelin më të lartë të kohëve të fundit, rritet me rreth 3.1 mld lekë

schedule16:19 - 31 Mars, 2022

schedule 16:19 - 31 Mars, 2022

Nga Erblina Mile

Kreditimi i ekonomisë shqiptare ka ecur pozitivisht edhe gjatë muajit shkurt .Pavarësisht nisjes së krizës së çmimeve bankat duket se janë treguar dorëlëshuar kundrejt bizneseve dhe individëve. Të dhënat e bankës së Shqipërisë tregojnë se në total kredia për ekonominë gjatë muajit shkurt ka arritur në 674.3 miliardë  lekë nga 608 miliardë lekë që ishte në shkurt të vitit 2021.

Individët vijojnë të marrin mbështetje e konsiderueshme  nga bankat e nivelit të dytë dhe në këtë segment vërehet se huaja e re për individët gjatë shkurtit për blerje banese ka prekur nivelin më të lartë historik me rreth 3.1 mld lekë.

Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë për dy muajt e parë të këtij viti sektori bankar ka miratuar  kredi të re në vlerën e 37.6 miliardë lekëve .

Por pavarësisht kësaj ecurie pritshmërit për muajt në vijim mbeten  jo shumë pozitive. Banka e Shqipërisë rriti normën e interesit  për herë të parë pas 11 vitesh çka pritet të sjellë shtrenjtim të kredive që do të merren në lekë. Po ashtu kriza e çmimeve dhe vështirësitë me të cilat po përballet biznesi do të detyrojnë bankat e nivelit të dytë të jenë më  të kujdesshme në dhënien e huave.

Po ashtu statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se shqiptarët kanë tërhequr kursimet duke bërë që depozitat të pësojnë ulje .Totali i depozitave  në vend rezulton se është pakësuar me rreth 5.4 mld lekë .Kjo shpjegohet me   faktin se gjatë shkurtit nisën të shtrenjtoheshin një sërë çmimesh për të kulmuar më pas në mars. Këto faktorë paralajmërojnë që në muajt e ardhshëm fenomeni i tërheqjes së depozitave mund të jetë edhe më i ndjeshëm./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!