BSH: Gjatë periudhës janar-mars emigrantët sollën rreth 184 milionë euro, në rritje vjetore 9%

schedule15:34 - 12 Qershor, 2022

schedule 15:34 - 12 Qershor, 2022

184 milion euro kanë sjellë vetëm në periudhën janar-mars emigrantët pranë familjeve të tyre në Shqipëri. Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se tashmë remitancat i janë rikthyer  trendit rritës madje duke tejkaluar edhe periudhat më të mira siç ishte viti 2009.Në krahasim me një vit më parë  të ardhurat e emigrantëve rezultojnë se janë 15 milionë euro më shumë ose me një rritje me 9%.por pavarësisht rritjes së nivelit të remitancave në muajt e parë të këtij viti  sipas Bankës së Shqipërisë është vënë re një tjetër fenomen negativ.

Ka vijuar edhe për këtë tremujor, rënia e përdorimit të kanaleve formale   siç janë sistemi bankar dhe operatorë të sistemit të transfertimit të parave. Për shkak të heqjes së kufizimeve dhe  lëvizjes së emigrantëve banka qendrore konstaton rritje të prurjeve në cash.

Kriza financiare globale shkaktoi një rënie të ndjeshme të dërgesave të emigrantëve në vendin tonë në periudhën 2013- 2015, duke mos e kapur nivelin 600 milionë euro në vit. Por trendi ndryshoi pas pandemisë e cila shkaktoi rritje të  ndihmës financiare të emigrantëve për familjarët e tyre .Ndërsa aktualisht një arsye e shtimit të prurjeve nga emigrantët lidhet me shtrenjtimin e kostos së jetesës për shkak të rritjes së përgjithshme të çmimeve.

Sipas të dhënave rezulton se janë më shumë se 40 mijë familje shqiptare që mbijetojnë vetëm falë remitancave  dhe rreth 70 % të  parave që i sjellin i shpenzojnë për sigurimin e ushqimeve.

Në bazë të qarqeve Kukësi dhe Dibra, kanë varësinë më të lartë nga remitancat. Peshën kryesore të  parave që sjellin emigrantët vijojnë ta mbajnë Italia dhe Greqia por vitet e fundit janë shtuar  sasitë e prurjeve edhe nga vende si Britania apo Gjermania. /abcnews.al/