BSH: 42% e bizneseve me hua, problem kryesor mbetet konkurrenca

schedule15:59 - 2 Maj, 2022

schedule 15:59 - 2 Maj, 2022

Nga Erblina Mile

Konkurenca dhe gjetja e tregut janë dy nga problematikat më të mëdha të bizneseve që operojnë në Shqipëri. Në një vrojtim të realizuar nga BANKA E Shqipërisë për pjesën e dytë të vitit të kaluar theksohet se 82% e totalit  të ndërmarrjeve që morën pjesë në anketim vlerësuan  elementet  e  “konkurrencës”  dhe  të  “gjetjes  së  tregut”  si ngërçet  kryesore  në  ushtrimin  e aktivitetit të tyre.

Elementë të tjerë  që kanë ndikuar negativisht  në aktivitetin e bizneseve në të gjitha segmentet gjatë kësaj periudhe janë “kostoja e prodhimit dhe e punës” , “përshtatshmëria e legjislacionit në fuqi”, si  edhe “disponueshmëria e stafit të kualifikuar” .Këto gjetje janë   evidentuar  si  një  sfidë  e  rëndësishme  nga  ndërmarrjet  e  mesme dhe ato të mëdha.

Pavarësisht përmirësimit në 6 muajt e fundit të vitit 2021,indeksi i shitjeve nuk  ka  arritur  ende  nivelin  e  periudhës  para pandemisë.  Në  rang  sektorial,  indeksi  shënoi  rritje më të ndjeshme  për  bizneset  në sektorët  e  industrisë,  të  shërbimeve  dhe  të  tregtisë.

Për të vijuar aktivitetin rreth 42% e bizneseve në vend kanë marrë një hua. Ngarkesa me borxh ka ardhur në  rënie në raport me kapitalin, por mbetet më e lartë në raport me të  ardhurat e bizneseve.

Huamarrja e ndërmarrjeve është realizuar vetëm në monedhën vendase për 67% e ndërmarrjeve të vogla, 58% e ndërmarrjeve të mesme dhe 48% e ndërmarrjeve të mëdha, ndërsa pjesa tjetër është në valutë dhe/ose e kombinuar. Ngarkesa  me  borxh  ka ardhur në rënie dhe paraqitet më e lartë tek ndërmarrjet e sektorit të shërbimeve dhe ato të ndërtimit. Lidhur me planifikimin për huamarrje në gjashtëmujorin e ardhshëm, përgjigjet e ndërmarrjeve  tregojnë se kërkesa për kredi pritet të forcohet./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!