Brumbulli shkatërron të mbjellat në Adriatik të Kurbinit, fermerët: Duhet bërë dezinfektimi

schedule14:54 - 27 Qershor, 2021

schedule 14:54 - 27 Qershor, 2021

Fermeri, Ilir Zgjuni nga Adriatiku i Kurbinit është nga më të dëmtuarit prej kolonisë së brumbujve të maji. Pemët frutore dhe perimet që ka mbjelle janë mbushur plot e përplot me brumbuj. Ai tregon për abc se këtë vit nuk do mund të vjelë prodhimin.

“Shihi lajthitë s’kanë më gjethe. Gjethja është mushkëria e pemës. Shih vreshtat e rrushit pa gjethe i ka ngrënë brumbulli i majit. Gjethja është ajo që bën fotosintezën. Fotosinteza s’ka përfunduar sepse e ka ngrënë brumbulli i majit. Ky frut nuk po piqet më. Këtu është një vatër e madhe infeksioni, por nuk e di ku është”, shprehet ai.

Ka mbjellë shumë pemë frutore. Po ka disa vite që prej dëmeve të kolonive të brumbujve ka hedhur tonelata  fruta e perime.

“ Parvjet kam hedhur 50 ton. Këtu pothuajse jemi në lagunë dhe lagunat janë materniteti i insekteve. Duhet bërë dezinfektim ajror. Ka 30 e ca vjet që s’është bërë. Këtë shqetësim e kam ngritur për disa vite radhazi në Drejtorinë e Bujqësisë, po asgjë nuk është bërë. Më vjen të braktis këtë vend prej brumbullit, më ka mundur”, tregon më tej fermeri.

Dëme në drurët frutore dhe të mbjella kanë pësuar fermerë të tjerë të fshatit Adriatik.

Një prej tyre në mungesë të vëmendjes së strukturave shtetërore është detyruar të shpenzojnë shumë para për të kryer vetë dezinfektimin.

“Kam marrë helm për kacabuj, ja hedh tre herë në ditë. U mërzita deri tani ka shkuar 50-60 mijë lekë. Me një kemp të djalit jetoj. Jam tepër i lodhur. I them të mëdhenjve lart, të ulin pak kokën të shohin e fshatin. Në kohë të Enverit vinin avionë e spërkatnin”, shprehet ai.

Banorët janë ankuar dhe pranë zyrës së bujqësisë por ju është thënë se drejtoria është zhvendosur në Shkodër.

Ndaj janë në pritje të një përgjigje zyrtare se si do të zgjidhet ky problem./abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!