Britania “thyen” traktatin me BE, paralajmëron KE: Po shkelet ligji ndërkombëtar

schedule08:31 - 10 Shtator, 2020

schedule 08:31 - 10 Shtator, 2020

Presidentja e Komisionit Europian (KE), Ursula von der Leyen shprehu shqetësimin e saj mbi njoftimet e qeverisë britanike se do të miratojë një ligj që do të anulonte pjesë të marrëveshjes për largimin nga Bashkimi Europian, duke theksuar se kjo shkel ligjin ndërkombëtar dhe minon besimin.

“Unë jam shumë e shqetësuar rreth njoftimeve të qeverisë britanike. Kjo do të shkelte ligjin ndërkombëtar dhe do të minonte besimin. “Pacta sunt servanda”, ai është themeli për marrëdhëniet e ardhshme”, shkroi Von der Leyen në llogarinë personale në Twitter.

Njoftimi i planeve, për të cilat qeveria tha se do të shkelte ligjin ndërkombëtar “në një mënyrë shumë specifike dhe të kufizuar”, ka rritur shqetësimet se Britania mund të largohet nga tregu i vetëm i Bashkimit Europian pa asnjë marrëveshje mbi tregtinë.

Britania u largua nga BE në janar por ka mbetur pjesë e tregut  sipas një marrëveshjeje e cila skadon në dhjetor. Ajo ka qenë duke negociuar një marrëveshje tregtare që do të hynte në fuqi, por ka deklaruar se është e gatshme të largohet edhe nëse nuk arrin një marrëveshje.

Ministri i qeverisë britanike përgjegjës për Irlandën e Veriut, Brandon Lewis, i tha parlamentit të martën se projekt-ligji i ri i së mërkurës thyen ligjin ndërkombëtar, por ishte i nevojshëm për të sqaruar marrëveshjen e Brexit në rast se palët nuk arrijnë një marrëveshje tregtare. s.ba/abcnews.al