Britania thirrje SHBA-së: Jo anulimit të marrëveshjes me Iranin

schedule22:12 - 7 Maj, 2018

schedule 22:12 - 7 Maj, 2018

Pas Gjermanisë dhe Francës, edhe Britania i ka bërë thirrje Presidentit Trump që të mos e hedhë poshtë marrëveshjen me Iranin. Sekretari i Jashtëm, Boris Johnson, ka zgjedhur emisionin televiziv të preferuar të Trump për të bërë apelin e tij.

Sekretari i Jashtëm britanik, Boris Johnson i ka bërë thirrje Presidentit Trump përmes shfaqjes televizive të tij të preferuar, që të mos e hedhë poshtë marrëveshjen bërthamore me Iranin. I ndodhur në Uashington, Johnson është takuar me sekretarin e Shtetit, Mike Pompeo, por nuk ka në axhendë një takim me shefin e Shtëpisë së Bardhë.

Nga emisioni i mëngjesit i “Fox News”, shefi i diplomacisë britanike i ka bërë thirrje Trump që të mos hedhë poshtë një marrëveshje të vlefshme vetëm e vetëm për të hequr qafe aspektet negative të saj. Presidenti amerikan ka kohë deri më 12 Maj për të vendosur nëse do t’i qëndrojë apo do ta anulojë ujdinë e vitit 2015, të cilën e ka cilësuar katastrofike.

Në bazë të saj, Irani ka pranuar të reduktojë aktivitetin e tij bërthamor dhe në këmbim gëzon një lehtësim të sanksioneve ekonomike. Në programin “Fox & Friends”, Johnson i ka cilësuar të drejta shqetësimet e Trump për defektet e paktit, por ka nënvizuar se ato mund të ndreqen. “Anulimi i kësaj marrëveshjeje dhe hyrja në fuqi e planit B nuk më duket shumë e menduar në këtë fazë”, ka thënë Johnson./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!