Një 40-vjeçar shqiptar në Britani të Madhe ka mohuar akuzat për kontrabandë të njerëzve. Afrim Xhekaliu u arrestua së bashku me disa shqiptarë, kur varka e tyre pësoi avari dhe rrezikuan të mbyteshin pranë bregut të East Sussex.
Tetë burra dhe një grua të cilët po përpiqeshin të hynin ilegalisht në Britani të Madhe, dhanë alarmin për shkak të erërave të forta që rrezikonin varkën e tyre. Dy prej tyre u arrestuan nga policia britanike, si persona të dyshuar për kontrabandë të njerëzve. Njëri prej tyre, Afrim Xhekaliu u paraqit sot në Gjykatën e Hove Crown ku u njoh me akuzat për kontrabandë të qenieve njerëzore dhe posedim të parave të përfituara nga aktiviteti kriminal.
Por 40-vjeçari mohoi të dy këto akuza duke thënë se nuk ka lidhje me kontrabandën e emigrantëve. Ai madje shtoi se është i gatshëm që të provojë se paratë që ai posedon i ka përfituar nga puna e rregullt. Gjykatësi tha se nëse çështja do të gjykohet, atëherë Xhekaliu do të ketë mundësi të bëjë mbrojtjen në muajin Korrik. /tvklan.al