Britani, ish-spiuni rus u helmua nga një agjent nervor

schedule22:46 - 7 Mars, 2018

schedule 22:46 - 7 Mars, 2018

Policia britanike ka identifikuar lëndën e përdorur për helmimin e ish-agjentit rus dhe vajzës së tij në Salisburi. Autoritetet janë të bindura se bëhet fjalë për një sulm të qëllimshëm dhe po e trajtojnë çështjen me përparësi.

Një agjent nervor u përdor në përpjekjen për të vrarë ish-oficerin e shërbimeve sekrete ruse Sergei Skripal dhe vajzën e tij Yulia, në Salisburi të Britanisë. Në këtë përfundim kanë arritur autoritetet policore britanike, tre ditë pasi atë e bijë u gjetën pa ndjenja në një park. Mark Roëley, shef i anti-terrorit, ka deklaruar se specialistët e qeverisë kanë arritur të identifikojnë lëndën e përdorur, por nuk do ta bëjnë publik emrin e saj.

“Kjo ngjarje po trajtohet si një incident i rëndë, që përfshin një tentativë vrasjeje, përmes administrimit të një agjenti nervor”, ka deklaruar Roëley. Zyrtari i lartë ka shtuar se, identifikimi i lëndës dhe simptomat e shprehura nga ish-agjenti dhe vajza e tij, të cilët ndodhen në gjendje kritike për jetën, konfirmojnë se ata të dy ishin objektivi i sulmit. Gjithashtu, një oficer policie që shkoi i pari në vendin e ngjarjes është prekur dhe ndodhet në gjendje të rëndë në spital. Agjentët nervorë janë lëndë kimike me nivel toksik të lartë që ndalojnë sistemin nervor dhe funksionet e trupit.

Zakonisht ata depërtojnë në trup përmes gojës ose hundës, por mund të hyjnë edhe përmes syve ose lëkurës. Një ditë më parë, sekretari i Jashtëm britanik, Boris Johnson, paralajmëroi Rusinë se do të përballet me reagimin e ashpër të Londrës nëse vërtetohet përfshirja e saj në këtë ngjarje./abcnews.al