Brexit, PE nis ratifikimin e marrëveshjes

schedule23:41 - 22 Janar, 2019

schedule 23:41 - 22 Janar, 2019

Parlamenti Europian do të nisë së shpejti ratifikimin e marrëveshjes së Breksit të arritur vitin e kaluar me Mbretërinë e Bashkuar. Brukseli zyrtar ka paralajmëruar Londrën se nuk ka shanse për një rinegocim të akordit.

Parlamenti Europian pritet të nisë javën e ardhshme procedurat për ratifikimin e marrëveshjes së Brexit, të negociuar mes Brukselit dhe Londrës. Lajmin e bënë të ditur ditën e martë disa ligjvënës europianë, pavarësisht faktit se Britania e Madhe vazhdon përpjekjet për finalizimin e akordit të divorcit.

Ndërkohë, sërish të martën opozita britanike u shpreh për një referendum të ri për Breksit, pasi ngërçi parlamentar duket se ka pak gjasa të zhbllokohet, duke e lënë BE-në në pritje. Unioni europian i ka bërë të qartë Britanisë se është në pritje të propozimeve të saj, por ka nënvizuar se marrëveshja aktuale e negociuar është më e mira që Mbretëria e Bashkuar mund të marrë.

Brukseli ka theksuar megjithatë se mund të punojë edhe në vazhdim për një tekst shtesë për të ardhmen e marrëdhënieve dypalëshe, nëse Londra do të anojë për një lidhje më të ngushtë.

“Shpresojmë që në fund të janarit të nisim procedurat”, deklaroi euro-deputetja Danuta Habner.

Ndërsa përfaqësuesi i PE-së për Breksit, Gaj Ferhofshtad tha se nisja e procesit do të dërgojë një sinjal të rëndësishëm.

“Kjo do të thotë se nuk ka mundësi për një rinegocim të marrëveshjes. Çdo deklaratë që pretendon për të kundërtën është vetëm për qëllime politike”, tha Ferhofshtad. Ndërkohë, teksa 29 Marsi po afron, Europa po përgatitet edhe për një dalje të Britanisë pa marrëveshje./abcnews.al