Brexit, Johnson: Nuk tërhiqem, nga BE-ja dalim më 31 tetor

schedule15:50 - 29 Shtator, 2019

schedule 15:50 - 29 Shtator, 2019

Kryeministri britanik Boris Xhonson nuk ka ndërmend të heqë dorë nga premtimi për ta nxjerrë Mbretërinë e Bashkuar nga BE-ja më 31 tetor. Duke ritheksuar parullën e tij “Bëj ose vdis”, Xhonson ka lënë të kuptohet se do të shpërfillë ligjet e miratuara në Parlament, që i vendosin shkopin ndër rrota planeve të tij.

Kryeministri britanik Boris Xhonson u zotua ditën e diel se do të vazhdojë të qëndrojë në detyrë edhe nëse nuk arrin të sigurojë një marrëveshje për Breksit. I cituar nga mediat ndërkombëtare, Xhonson deklaroi se qeveria e tij konservatore do ta nxjerrë Mbretërinë e Bashkuar nga BE-ja më 31 tetor, çfarëdo që të ndodhë.

Në fillim të konferencës vjetore të partisë së tij, që mbahet  në qytetin e Mançesterit, Xhonson do të përpiqet të përcjellë mesazhin “bëj ose vdis”, që është dalja nga BE-ja në fund të tetorit me apo pa një marrëveshje. Por në rrugën e tij ka shumë pengesa, shkruan BBC, sipas të cilës një prej tyre është ligji i miratuar në Parlament, që e detyron Xhonson të kërkojë një shtyrje të Breksit nëse nuk siguron dot një marrëveshje me Brukselin brenda datave 17-18 tetor, kur mbahet dhe samiti i vendeve të BE-së. Xhonson sërish refuzoi të shpjegojë se si ka në plan ta devijojë ligjin dhe të mbajë premtimin e bërë për Breksit, duke thelluar pasiguritë mbi atë që pritet të jetë ndryshimi më i madh tregtar dhe diplomatik i Britanisë së Madhe në më shumë se 40 vjet.

“Njerëzit e ndjejnë se ky vend po i afrohet një momenti të rëndësishëm, kur duhet të bëjë një zgjedhje. Neve na duhet ta realizojmë Breksit më 31 tetor dhe unë do ta bëj këtë”, tha Xhonson për BBC.

I pyetur nëse do të jepte dorëheqjen në rast se do t’i duhej të kërkonte një shtyrje të afatit, ai u përgjigj: “Jo. Unë kam marr përsipër të udhëheq partinë dhe vendin tim në një kohë të vështirë dhe do të vazhdoj ta bëj. Besoj se kjo është përgjegjësia ime”, tha Xhonson. /ABC news Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!