Brexit/ BE dhe Britania rrisin dozën e kërcënimeve

schedule19:04 - 2 Shkurt, 2018

schedule 19:04 - 2 Shkurt, 2018

Bashkimi Europian dhe Britania kanë rritur dozën e kërcënimeve dhe shantazheve në negociatat për Brexit. Këtë herë, Brukseli ka kërcënuar me sanksione nëse Londra ndryshon rregullat e lojës në marrëdhëniet tregtare.

Pavarësisht përpjekjeve për të gjetur gjuhën e përbashkët për një dalje pa pasoja të rënda të Britanisë nga BE-ja, kërcënimet dhe shantazhet mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Unionit sa vijnë e bëhen më agresive. Së fundmi, sipas një dokumenti strategjik të publikuar nga “Financial Times”,

Brukseli ka kërcënuar me sanksione nëse Londra dobëson ekonominë e BE-së pas Brexit. Dokumenti paralajmëron 27 vendet anëtare për një konkurrencë të pandershme nga ana e Mbretërisë sapo të konkretizohet divorci. Kjo mund ta shtyjë BE-në që ta fusë Britaninë e Madhe në një listë të zezë për shkeljet fiskale dhe të vendosë sanksione ndaj kompanive që marrin ndihma financiare nga shteti.

Sipas gazetës, Brukseli e konsideron ekonominë britanike shumë të madhe për ta trajtuar si një partner tregtar që luan sipas rregullave, ndaj dhe dëshiron të vendosë ligje që imponojnë kufizimet fiskale, ndihmat nga shteti dhe respektimin e të drejtave të punëtorëve. Negociatorët nga ana tjetër kanë deklaruar se cilado qoftë marrëveshja që do të përcaktojë marrëdhëniet e ardhshme Britani-BE, ajo duhet të respektojë specifikat e relatave aktuale mes tyre./abcnews.al