Brenda plantacionit me 26 mln € kanabis në Greqi, krah pune u rekrutuan shqiptarët dhe indianët

schedule16:36 - 14 Qershor, 2021

schedule 16:36 - 14 Qershor, 2021

Autoritetet greke kanë finalizuar një operacion duke goditur një bandë të kultivimit të kanabisit me plantacione gjigante në Anavyssos, ndërsa përpos 24 arrestimeve, sekuestrime u bënë edhe në qytete të tjera të vendit fqinj. Mediat greke raportojnë se deri tani janë sekuestruar 28 mijë fidanë kanabis, ndërsa nëse do të dilte në treg do të kapte vlerën e 26 milionë eurove.

Deri tani nga hetimet ka rezultuar se pesë grekë kishin krijuar një grup kriminal dhe nën kamuflimin e një kompanie të licencuar industriale për rritjen e kanabisit, po kultivonin një numër të madh të fidanëve. Përveç kësaj, “ata punësuan ilegalisht të huaj, të cilët ishin me origjinë shqiptare dhe indiane për kultivimin në plantacion” shkruan “Kathimerini”.

Në të njëjtën kohë, sipas një njoftimi të Policisë Greke, u kryen kontrolle në shtëpi dhe depo në Heraklion dhe Atikë, ku – midis të tjerave u gjetën dhe konfiskuan: armë të llojeve të ndryshme, fishekë, thika, dylbi, 63,290 euro dhe 10,259 dollarë, pajisje dhe radio ushtarake, etj. d.b/Abcnews.al