Dejvi Bregu, sulmuesi anësor i Teutës, doli sot para mediave dhe foli për ndeshjen e radhës me Laccin. Vlonjati vlerësoi kurbinasit, ndërkohë që pyetjen e parë gjatë konferencës nuk e priti mirë. Sulmuesi i durrsakëve nuk është dakord me vënien ne dukje të faktit që nuk ka bërë diferencën, madje mendon ndryshe.
-Dejvi, pritshmëritë për ju janë të mëdha, por deri më tani nuk e keni bërë diferencën. Si e shpjegoni?
– Unë diferencën e kam bërë që 16 vjeç kur kam luajtur në Superiore. Mendoj se diferenca tregohet në fushë, diçka që unë e kam treguar gjithmonë dhe do vazhdoj ta tregoj. Pastaj përsa i përket specialistëve të futbollit shqiptar që mendojnë se nuk e kam bërë diferencën, është mendimi i tyre.
-Cili është problemi, moduli i lojës apo pozicioni juaj në fushë?
– Nuk mendoj se është moduli, apo pozicioni. Po luaj në pozicion që dëshiroj dhe kam luajtur gjithmonë, në krahun e majtë. Mendoj se që tani e tutje do të ecim akoma edhe më mirë.
-Luani ndeshjen e radhës kundër Laçit. Si e parashikoni këtë duel?
– Parashikoj një duel shumë të fortë, duke ditur që ekipi i Laçit është një nga ekipet më të forta në Shqipëri. Pa diskutim që tani me trajnerin e ri kanë një motivim më ndryshe lojtarët e Laçit. Besoj se do të jetë një ndeshje e luftuar.
-Mendoni se kjo ndeshje do të jetë pika e kthesës për Teutën?
– Shpresoj dhe kam bindjen që nesër do të marrim fitoren që na duhet. Kemi shumë nevojë për një trepikësh. Të gjithë po mundohemi shumë në stërvitje, por fati nuk ka qenë me ne. /abcnews.al