Brdaric: Ta shijojmë vendin e parë, në janar mund të ketë ndërhyrje të vogla në merkato

schedule23:36 - 24 Dhjetor, 2020

schedule 23:36 - 24 Dhjetor, 2020

Vllaznia e tij kryeson kampionatin dhe shumëkush është surprizuar nga kjo ecuri e shkodranëve. Javë pas jave kuqeblutë kanë bindur me lojëra dhe rezultate, ndaj edhe kundërshtarët i vlerësojnë maksimalisht. Trajneri Thomas Brdaric, këtë herë në një lidhje direkte, flet në emisionin “Pressing” në ABC.

“Jemi të lumtur dhe po e shijojmë vendin e parë, por jemi koshientë se na pret një punë e madhe dhe rrugë e gjatë. Si çdo skuadër edhe ne kemi nisur nga zero dhe askush nuk e mendonte se do kishim të tillë arritje. Ne kemi 22 pikë, duke luajtur lojë sulmuese dhe shënuar shumë gola dhe ky është tregues shumë i mirë. Diferencat janë shumë të vogla dhe është e vështirë.

Nuk është vetëm Kukësi, është Tirana, Teuta, Partizani. Duhet të bëjmë shumë kujdes për të përgatitur çdo ndeshje mirë. Ne nuk kemi presion sepse futbolli është për t’u shijuar. Nëse nuk e shijon duhet të largohesh, unë po shijoj gjithçka në Shkodër me një skuadër që e kam formuar vetë me lojtarë të fortë dhe cilësorë.

Ju e dini, ne nuk e kemi thënë kurrë se do e mbyllim në vend të parë kampionatin. Ne jemi në një pozicion shumë të mirë, por po marrim çdo ndeshje njëra pas tjetrës. E radhës është me Skënderbeun, kemi edhe dy sfida para festave dhe duke parë vetëm ndeshjen e radhës ne bëjmë më të mirën tonë.

Ne kemi ndërtuar në gusht një skuadër të re. Kemi lojtarë shumë të mirë dhe nuk kemi nevojë për shumë ndryshime. Në fund të sezonit disa lojtarë mund të lënë klubin dhe ne mund t’i zëvendësojmë në merkato. Mund të ndërhyjmë në dy tre pozicione, por pa bërë ndërhyrje të madhe.

Nëse e mbajmë kreun do ishim të lumtur. Vijmë nga poshtë dhe nuk e mendonim suksesin e tanishëm. Kënaqem duke punuar me këtë skuadër dhe shpresojmë ta ruajmë suksesin”, u shpreh Brdaric në studion e “Pressing”.  /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!