Thomas Brdaric, trajneri i Vllaznisë, ka dalë sot para mediave dhe ka folur për ndeshjen gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë kundër Laçit. “Është një ndeshje kupe, si një finale, nuk luhet për pikë. Duhet kujdes, është vetëm një ndeshje dhe mund të shkojë më shumë se 90 minuta.
Laçi është një ekip me eksperiencë dhe me cilësi, por e di që ekipi im është i motivuar dhe nëse fitojmë shkojmë në finale. Jemi përgatitur ndryshe për këtë duel dhe jemi gati të bëjmë më të mirën”, tha fillimisht trajneri gjerman.
“Duhet të përballemi me ta me të njëjtën ego, është e vetmja mënyrë se si mund të përballesh me Laçin. Duhet grinte dhe agresivitete. Strategjia që përdorëm në La֛ ishte e duhura. Tani luajmë në “Loro Boriçi” dhe është një ambient ndryshe dhe fushë më e madhe. Duhet të bëjmë diçka më ndryshe dhe jemi përgatitur”, shtoi Brdaric
“Mungesat? Do ta shohim në seancën e fundit kush do të jetë dhe kush jo. Lojtarët janë të motivuar dhe do të hedh në fushë ata që janë 100 për qind gati dhe që janë të aftë për të na dhënë fitoren”, u shprehe trajneri i Vllaznisë.
“Kupa rruga më e shkurtër për Europën? Kjo është një mundësi për Europën. I kemi të gjitha mundësitë për të fituar dhe nuk do e lëmë këtë mundësi të na ikë. E kuptoj që në Shkodër është e rëndësishme të shkojmë në Europë dhe ne do t’i shfrytëzojmë të gjitha mundësitë, në Kupë dhe kampionat”.
“Nesër hyjmë në fushë me mendimin për ta mbyllur për 90 minuta. Në ndeshje do shikohet, pasi luajmë me një ekip të fortë. Luajmë në shtëpi dhe kjo na jep më tepër motivim. Penalltitë, Sherri kundër? Shoh ekipin tim dhe kemi mundësi të shënojmë.
Duhet besim, i kemi cilësitë të shënojmë dhe të mbrohemi për të mos i lënë asgjë fatit në dorë. Do mundohemi ta mbyllim në mënyrën më të mirë. E di që Sherri ka luajtur këtu dhe rikthehet në Shkodër. Ai ka shumë presion mbi shpatulla, sepse përballet me ish-ekipin. Jam i bindur se do t’i shënojmë nesër”. /abcnews.al