Brazil-Serbi dhe Zvicër-Kosta Rikë janë ndeshjet për kualifikim në grupin E të Botërorit. Shqiptarët e Zvicrës kanë shanse të mira që t’ia dalin.
Të dy kombet do të jenë kampionë të botës.
Kështu thonë meditat, kështu thonë edhe qytetarët e dyfishtë.
Ja shqiptarët e Zvicrës, pas fitores me Serbinë.
Përfaqësuesja helvete ka shanse të dalë e para në grup me fitore ndaj Kosta Rikës, ndërsa mundësitë për kualifikim janë që të gjitha.
Yjet kryesorë, Xhaka, Shaqiri e Lihtshtajner, nuk u pezulluan nga FIFA.
Trajneri Petkoviç nuk dëshiron të shpërqëndrohet nga pyetjet për shqiponjën e Xhakës dhe Shaqirit.
“Ne jemi këtu për të luajtur futboll, dhe do të luajmë futboll së bashku. Ne varemi nga futbolli që luajmë dhe nga emocionet që na jep ai. Ajo që ndodhi, ndodhi, dhe ne duhet të bëjmë kujdes. Unë nuk flas me lojtarët për gjëra të tjera. Thjesht, duam të fitojmë ndeshjen dhe të dalim në krye të grupit”.
Kosta Rika do të përpiqet të shkaktojë një të papritur, ndonëse bilanci i saj në Kupat e Botës nuk është aq i mirë, dhe po ashtu bilanci ndaj ekipeve europiane.
Dueli më i madh i grupit E është ai, Brazil-Serbi.
Çështja kryesore e brazilianëve është forma e Neymar-it, por problem janë edhe kartonët e verdhë.
Trajneri Tite shprehet se Brazili nuk është vetëm Neymar-i, ndërsa nuk dëshiron të krijojë shumë presion.
“Nuk dua të mendoj për një sfidë të mundshme me Gjermaninë në turin tjetër. Ne mendojmë vetëm për ndeshjen e radhës. E dimë se bëmë gabime ndaj Kosta Rikës, dhe duhet t’i ndreqim, por unë nuk mund të flas publikisht për gabimet. Duam të dalim në vend të parë në grup, ndonëse Serbia do jetë rival shumë i fortë, me lojtarët e saj tepër të talentuar”.
Po Serbia, si e pret këtë ndeshje?
Skuadra mbërriti në Moskë nën masa të forta sigurie.
Trajneri Krstajiç është përpjekur që ekipi i tij të kalojë shpejt tronditjen e humbjes me Zvicrën, ndërsa mediat serbe i kujtojnë fitoren e Serbisë U20 në finalen e Kupës së Botës ndaj Brazilit, 3 vjet më parë.
“Brazili është një superfuqi futbolli dhe ne e respektojmë. Gjithsesi, ne do të japim maksimumin për të fituar. Nuk dua të komentoj deklaratat e mia pas ndeshjes me Zvicrën, pasi duhet të mendojmë për Brazilin. Fitorja e finales së Botërorit U20 ndaj brazilianëve na jep më shumë shpresë se mund t’ia dalim”.
Në Moskë do të jetë edhe një duel tifozësh, ku të dyja palët paraqiten me besim, por ku natyrisht epërsinë numerike e kanë ata të Brazilit./abcnews.al