Brazili vatër infeksioni e Covid 19, SHBA ndalon udhëtimet

schedule09:56 - 25 Maj, 2020

schedule 09:56 - 25 Maj, 2020

Brazili ditët e fundit po përballet me një valë agresive të koronavirusit ku një numër i madh personash janë infektuar. Amërika në kuadër të masave parandaluese për përhapjen e koronavirusit ka ndaluar të gjitha llojet e udhëtimit të shtetasve joamerikanë që kanë qenë në Brazil.

Tashmë Brazili është vendi i dytë në botë për numrin më të lartë të të infektuarve me Covid 19.

Për të shmangur përhapjen e infeksionit në territorin e vet, Shtetet e Bashkuara njoftuan të dielën se do të ndalojnë të gjitha llojet e udhëtimit nga shteti latin duke nisur nga data 28 maj. Me urdhër të presidentit Donald Trump, kufizimet do të aplikohen për shtetasit joamerikanë që kanë vizituar Brazilin në dy javët e fundit, ndërsa personat që disponojnë kartën e gjelbër, kanë të afërmit në Amerikë apo janë pjesëtarë të ekuipazheve të avionëve do të përjashtohen nga masat.

Ministria e Jashtme e Brazilit tha se e mirëkupton vendimin dhe kufizime të ngjashme zbatojnë edhe autoritetet vendëse në bazë të kritereve pandemike, ndaj lajmi nuk cenon bashkëpunimin mes vendeve.

Ndërkohë një javë më parë OBSH e ka shpallur Amerikën Latin qendrën e re të pandemisë. Brazili raporton mbi 360 mijë bartës të koronavirusit dhe më shumë se 22 mijë viktima nga sëmundja infektive./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!