Brazili regjistron rreth 100 mijë viktima nga Covid-19, ndërsa Meksika tejkalon 50 mijë vdekje

schedule13:08 - 8 Gusht, 2020

schedule 13:08 - 8 Gusht, 2020

Përsa i përket numrit të viktimave nga koronavirusi (COVID-19), Brazili  ka regjistruar rreth 100 mijë viktima ndërkohë Meksika ka tejkaluar shifrën e 50 mijë të vdekurve. Sipas Universiteti John Hopkins, viktimat nga koronavirusi në Amerikën Latine arritën në 214 mijë, me Brazilin dhe Meksikën që përbëjnë 70 për qind të viktimave në Amerikën Latine dhe Karaibe.

Zyrtarët shëndetësorë njoftuan se Brazili gjatë 24 orëve të fundit raportoi 50.230 raste të reja të konfirmuara me COVID-19 dhe 1.079 viktima. Që nga shpërthimi i pandemisë, Brazili ka raportuar gjithsej 2.962.442 raste dhe 99.572 viktima. Nga ana tjetër, Meksika raportoi mbi 50 mijë vdekje nga koronavirusi.

Një ditë pasi Departmenti Amerikan i Shtetit u bëri thirrje amerikanëve të mos udhëtojnë në jug të kufirit, presidenti meksikan, Andres Manuel Lopez Obrador, tha se SHBA ka regjistruar  më shumë raste nga koronavirusi sesa Meksika.

Kur Lopez Obrador u pyet për pezullimin e udhëtimeve, ai tha se situata në SHBA është më e rëndë sesa në Meksikë.

“Ne kemi më pak probleme me pandeminë sesa problemet me të cilat ata fatkeqësisht po përballen. Situata jonë është më e mirë dhe na vjen keq sepse ata na kanë ndihmuar.  Donald Trump na dërgoi pajisje, na dërgoi ventilatorë dhe marrëdhënia që kemi është shumë e mirë”, tha Lopez Obrador./abcnews.al