“Braktiseni kënetën”, Rama: Qytetarët të votojnë PS-në për Shqipërinë në Bashkimin Europian

schedule10:54 - 22 Mars, 2025

schedule 10:54 - 22 Mars, 2025

Kryeministri Edi Rama, u shpreh se qytetarët duhet të votojnë PS-në për Shqipërinë në Bashkimin Europian. Në rrjetet sociale, Rama iu përgjigj komentëve të ndjekësve të tij në Facebook.

“Më thotë stafi im që ndjek rrjetet sociale që janë fyer shumë militantët e kënetës nga ‘tiki-taka’ ime me Lul Euroatlantikun. Thonë u vika turp se nuk bën udhëheqësi kështu. Po kur dëgjoni bufin që merr rrugët me libër shtëpie për të tjerët ju vjen ndopak turp apo hiç, se këneta kështu e ka. Disa të tjerë shkruajnë se nuk paskemi program prandaj unë po përdor Lulin që të largoj vëmendjen, e thotë bufi këtë”, tha Rama.

Kryeministri siguroi se PS e ka programin jo elektoral si ata që nuk kanë gjë në dorë, por e ka qeverisës, fushë për fushë, kategori për kategori sociale.

Po ashtu, kryeministri informoi mbi takimet me shqiptarët e Greqisë në 29 mars në Kretë dhe në 30 mars në Athinë.

“Kur të vijë dita e planifikuar do e ndajmë edhe me ju demokratët piketat kryesore. Duroni pak. Por mendoni vetëm kaq. Kur BE thotë hajde punoni ditë natë se do t’ju marrim në familje dhe t’i mbyllim negociatat deri në fund të vitit 2027 si thoni ju? Na e thotë për sytë e bukur se program nuk kemi, apo për atletet e mia se ata janë zbathur në Bruksel. “Unë s’kam punë tjetër? Unë që zgjohem para jush dhe fle prapa jush të gjithëve se kështu ma do detyra. Se në këtë punë veç punë plot të tjera ka. Por edhe Lulin punë pune e kam unë deri në 11 maj. Pastaj ka gjumin e verës ai prandaj mos qani hallin e udhëheqësit, mos qani hallin e shtetit, mos qani hallin e popullit, mos qani hallin e programit. Për atë 5 minuta që harxhoj unë me Lulin, por qani hallin tuaj dhe shikoni çfarë i duhet Shqipërisë nga ju në këtë moment. Ju me Lulin harxhuat 8 vjet. E mbajtët kryetar. Ju e mbajtët apo e mbajta unë? Pastaj u kthyet prapë tek bufi që do t’ju sillte në pushtet. Ju kujtohet si tha: ‘Për një muaj ju sjell në pushtet se e ka fajin Luli’. Po tani, apo prapë Luli j’ua ka fajin. Por kurrë nuk e merrni ju me bufin rezultatin e 2021 me Lulin. Rrijë shtrembër fol drejt. Harroje. Prandaj të paktën qeshni edhe ju pak për ato 5 minuta në ditë se ngelët duke qarë nga humbja në humbje gjithë këto vite. 9 herë rresht, por kjo e dhjeta do jetë çfarë do të jetë… Prandaj mos humbni kohë, hidhuni. Hidhuni këtej, hidhuni siç po bëjnë plot. Në Vlorë sonte jam plot me demokratë atje. Braktiseni kënetën, bëhuni me mua, bëhuni me PS-në këtë herë. Hidheni atë votë të shkretë te kutia numër 5. Hidheni atë votë për Shqipërinë në BE, për pasaportën e BE-së për vete, fëmijët tuaj, nënat e baballarët tuaj”, tha Rama.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!