Botohet revista “Diturija” e Mid’hat Frashërit

schedule18:56 - 10 Tetor, 2018

schedule 18:56 - 10 Tetor, 2018

Në prag të 110 vjetorit të Kongresit te Manastirit, vjen botimi anastatik i revistës “Diturija” themeluar nga nga Lumo Skëndo (pseudonim letrar i Mid’hat Frashërit), i cili u zgjodh kryetar i Kongresit të Manastirit 110 vjet më parë. E afërmja Najada Petrela thotë për ABC News se e gëzon fakti i ridimensionimit të figurës së tij dhe përmbushja më në fund e amanetit për tu kthyer në atdhe në nëntor.

Studiues nga Shqipëria dhe Kosova janë bërë bashkë në Tiranë për të promovuar revistën “Diturija” themeluar nga Lumo Skëndo (pseodonimi letrar i Mid’hat Frasherit). Kjo revistë u themelua në vitin 1909 pas punimeve të Kongresit të Manastirit, për standardizimin e alfabetit të gjuhës shqipe. Botimi anastatik i Diturisë vjen në prag të 110 vjetorit të këtij kongresi.
Pasardhësit janë ata të cilët gëzojnë në ngjarje të tilla. Najada Petrela thotë se ridimensionimi i figurës së Mid’hat Frashërit është domosdoshmëri, e cila tashmë po bëhet realitet.

Najada Petrela, pasardhëse e Mid’hat Frashërit: “Kënaqësi dhe është krenari për mua dhe për të gjithë familjen time që të jem trashëgimtare e kësaj familje kaq të shquar. Deri tani pak ishte shkruajtur dhe shumë baltë ishte hedhur mbi këtë figurë.”

Por përmbushja e amanetit të tij për tu prehur në Shqipëri, pritet të bëhet realitet në nëntor.

“Ndihem shumë e gëzuar që më së fundi, edhe me kontributin e familjes eshtrat e tij po fijnë në Tiranë dhe po merr jetë e gjithë vepra e tij.”

Revista “Diturija” është tashmë një monument kulture, themelet e të cilit u hodhën në vitin e largët 1909 për t’u shndërruar në ngrehinën madhështore të dijes edhe ne harkun kohore të viteve 1926-1929.

Persida Asllani, drejtore e Bibliotekës Kombëtare: “Pjesa më thelbësore e veprës së Mid’hat Frashërit në shqip u karakterizua nga pasioni i dijes, i përcjelljes së saj sa më cilësisht te lexuesi shqiptar. Ai e kishte kuptuar që herët se dinjiteti i njeriut dhe kombit, ëndërra e lirisë lidhej tashmë pazgjidhshmërisht me diturinë pas së cilës do të mbruhej dituria identitare. ”

Pas promovimit në Shqipëri, revista “Diturija” do të promovohet në Prishtinë dhe Shkup./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!