TIRANË- Tifozët, shikuesit dhe teleshikuesit panë një barazim spektakolar në një duel mes futbollit europian dhe atij të Amerikës Latine. Boka Juniors dhe Benfika e mbyllën 2-2 ndeshjen e Kupës së Botës për Klubet.
Rivaliteti në këtë ndeshje u pa në çdo sekondë dhe sigurisht ata që ishin në stadium shijuan futbollin bio. Ky spektakël futbolli u komentua në emisionin “Botërori i Vogël” në ABC News, nën moderimin e gazetarit Maks Tashi.
Specialisti i futbollit Ledio Pano theksoi se rivaliteti mes ekipeve të Amerikës Latine dhe atyre evropiane është shumë i fortë dhe kjo shihet te egoja e futbollistëve në fushën e blertë.
“Po luajnë ndaj ekipeve më të mira evropiane dhe e shohin si rivalitet”, tha ai.
Trajneri i futbollit, Ditmar Bici, tha se në takimin mes Boka Juniors dhe Benfica shijuam futbollin bio.
“Shijuam një takim të futbollit bio”, tha ai.
Për gazetarin Jorgis Memo, në kampionatin Botëror të Klubeve po shohim më tepër një futboll ekzotik.
“Shohim më tepër një futboll më tepër ekzotik. Evropianët ruhen, kanë atë fazën përgatitore më shumë”, theksoi ai.
Ndërkaq, për herë të parë me formatin e zgjeruar me 32 skuadra, në evenimentin Kupa e Botës për Klube që po organizohet në SHBA po dhurohet spektakël futbolli me skuadra pjesëmarrëse nga të gjitha kontinentet e botës.
Në këtë evenimet spikasin 12 ekipe evropiane, por sigurisht edhe skuadrat nga Afrika, Azia, Amerika, Oqeania që pritet t’i japin ngjyra spektakolare kompeticionit./abcnews.al