Teksa bota po tallet me spiunët rusë që dështuan në misionet e tyre në Europë e Britani, ekspertë të shërbimeve të inteligjencës paralajmërojnë Perëndimin të mos festojë para kohe. Sipas ekspertëve, në këtë periudhë marrëdhëniesh të tensionuara, shërbimet sekrete ruse janë shumë më aktive se ato perëndimore.
Mbarë bota po tallet me spiunët rusë pas dështimit të misioneve të tyre në Angli dhe Holandë, por duke parë rolin e ushtrisë ruse në politikën e jashtme të Kremlinit, ka pak shanse që Moska të ndërpresë operacionet e fshehta për shkak të turpit. Shërbimi sekret ushtarak GRU fajësohet nga vendet e Perëndimit për një seri sulmesh të dështuara këtë vit, përfshirë atë për helmimin e ish-agjentit Sergei Skripal në Sallisbëri dhe përpjekjen për të vjedhur të dhëna nga Agjencia për Ndalimin e Armëve Kimike në Hagë. Edhe mohimi i vazhdueshëm i përgjegjësisë nga Moska ka shkaktuar iliaritet në Perëndim, ku disa media e kanë cilësuar GRU-në si një bandë amatorësh. Por ekspertë të shërbimeve inteligjente dhe njohës të politikave të Kremlinit deklarojnë se Perëndimi duhet të qëndrojë vigjilent.
“Është e lehtë të qeshësh me disa agjentë të papërgatitur të GRU-së, por bëjmë mirë të mos i nënvlerësojmë as ata as armët kimike që ata përdorin në rrugët tona”, ka deklaruar ministri britanik për Sigurinë, Ben Uollas. Ekspertët vlerësojnë se shërbimi sekret ushtarak rus ka intensifikuar aktivitetet e tij, përfshirë këtu operacionet që kryhen në të zezë, për shkak të rritjes së tensioneve me Perëndimin dhe sanksioneve të vendosura nga ky i fundit ndaj Rusisë. “Rusia po vepron me rregullat e luftës, që do të thotë se GRU-ja është zgidhur nga zinxhirët”, thotë Mark Galeoti, ekspert pranë Universitetit Europian në Firence. Sipas tij, teksa klima e marrëdhënieve Perëndim-Lindje po përkeqësohet, shërbimet inteligjente ruse po tregohen shumë më aktive. “Nëse Perëndimi shpreson se turpërimi publik do të nxisë presidentin Vladimir Putin t’i vërë fre aktiviteteve të GRU-së, atëherë do të zhgënjehet”, ka shtuar Galeoti./abcnews.al