Kryeministri Edi Rama gjatë një konference ditën e sotme, për furnizimin me ujë të pijshëm të qytetarëve tha se edhe pse rrjetet dhe sistemet e trashëguara nga vitet 60’, qeveria ka investuar dhe ka rritur furnizimin me ujë deri në 15 orë në ditë.
Sipas kryeministrit, objektivi i qeverisë është që të arrijë të furnizojë qytetarët me 18 orë ujë në ditë.
“Në vitin e ardhshëm, 55 zona të mëdha urbane të vendit, në vitin 2022 edhe në mbi 200 zona më të populluara të vendit, do të kemi këtë infrastrukturë. Shumëkush që ndjek faqen time dhe që përfaqëson një kategori të caktuar të opinion publik, ngre pyetjen herë me ironi dhe herë në formë habitore, se si ka mundësi që akoma flasim për ujë të pijshëm, kur bota po shkon në hënë.
Bota ka shkuar në Hënë me kohë, por në sistemin tonë të ujësjellësve, kemi një pasqyrë shumë të posaçme në raport me botën por jo me rajonin. Rrjetet e trashëguara janë të trashëguara që në vitit ’60.
As në komunizëm nuk është garantuar uji 24 orë, apo në çdo pikë banimi të Shqipërisë. Për më tepër, ne për 25 vjet, pas rënies së komunizmit, kemi filluar të prekim një sistem furnizimi me ujë, ku kemi pasur dhe akoma sot aty ku vazhdon puna, ka depo dhe tubacione të viteve ‘60-70. Në vitin 2013, gjetëm vetëm Korçën me furnizim 24 orë me ujë, në vitin 2021, do të jetë një realitet në të gjithë Shqipërinë.
Tirana është një histori më vete, ku ka një rritje të furnizimit me ujë të pijshëm nga 7 orë në ditë mesatarisht, sot vetëm Bovilla furnizon 16 orë në ditë banorët e kryeqytetit, dhe në nivelin kombëtar, furnizimi me ujë të pijshëm, mesatari i Shqipërisë ishte 10 orë në ditë dhe do të arrijë 18 orë.
Shumë vite më parë, vetëm 51% e popullsisë, kishin akses në një burim të pijshëm përmes rrjetit, pra në shtëpi. Sot jemi në 78.5%, në 2021, do të kemi 85.6% të popullsisë me akses në ujë të pijshëm. Ndryshimi është i ndjeshëm kudo, por i pamjaftueshëm në raport me objektivin dhe në raport me kërkesën krejt legjitime të popullatës.
Për këtë arsye, mendoj që është themelore të vazhdojmë punën. Do të plotësojmë të gjitha kornizat e prioriteteve të vendosura që në krye të herës.“, tha Rama.
n.d./abcnews.al