Borxhi në pikiatë, në fund të dhjetorit arriti 59.2 përqind/ Banka Qendrore: Kthejmë inflacionin në objektiv

schedule15:32 - 16 Shkurt, 2024

schedule 15:32 - 16 Shkurt, 2024

Niveli i borxhit publik në vend ka pësuar një ulje të fortë. Për herë të parë në dhjetor të vitit 2023 borxhi preku nivelin 59.2%  nga 60 % që ishin parashikimet. Kjo u bë e ditur nga ministri i financave Ervin Mete gjatë takimit  të zhvilluar nga Banka e Shqipërisë me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore për Bankën Qendrore fokusi vijon të mbetet në luftën ndaj inflacionit ndërsa për kreun e qeverisë kthimi i Shqipërisë në një vend eksportues neto i energjisë.

Borxhi publik zbriti në nivelin 59.2%  për herë të parë që nga viti 2011. Kështu deklaroi ministri i Financave Ervin Mete në mbledhjen e Konstituencës me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore që u mbajt për herë të parë në Shqipëri. Kjo e rendit Shqipërinë ndër vendet e rajonit që e kanë ulur borxhin publik me ritme më të shpejta.

Ndërkohë, guvernatori i bankës së Shqipërisë Gent Sejko tha se pavarësisht sfidave që ekonomia është përballur përgjatë këtyre 3 viteve, situata është menaxhuar duke mbyllur vitin 2023 me një rritje ekonomike prej 3.5% dhe papunësinë në minimumet historike. Kreu i Bankës Qendrore tha se vijon lufta me inflacionin

I pranishëm në këtë aktivitet kryeministri Edi Rama tha se Shqipëria ka pësuar një boom turistik ndërsa tashmë synon të bëhet një eksportues neto i energjisë elektrike .

Në fokus të kësaj mbledhjeje ishin sfidat me të cilat po përballet ekonomia  botërore dhe përqasjet sa më efeciente dhe të koordinuara me qëllim zhvillimin e tyre. Përfaqësuesit e lartë të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore  prezantuan perspektivat e këtyre dy institucioneve lidhur me sfidat globale.