Vllaznia rrezikon përjashtimin nga Europa për shkak të detyrimeve ndaj Drejtorisë së Tatimeve. Në klubin shkodran shpresojnë të marrin hua nga Federata për ta shlyer më vonë, siç bëri Tirana një vit më parë.
E imagjinoni dot skuadrën kryesuese të kampionatit që nuk lejohet në kontinent? Një situatë të tillë po e kalon Vllaznia për shkak të detyrimeve të mëdha financiare në tatime, ndërsa në fund të muajit mars përfundon procesi i licencimit në Federatën Shqiptare të Futbollit.
Nëse nuk gjendet një zgjidhje, shkodranët nuk licencohen dhe si rrjedhojë nuk marrin dot pjesë në kupat e Europës, por në klub mbeten me besim.
Burime pranë drejtuesve bëjnë me dijë për ABC se Bashkia e Shkodrës, si pronare ende e aksioneve, do të kërkojë ndihmë në Federatë.
Skema është që të merren hua 32 milionë lekë për t’u dorëzuar në tatime deri në fund të marsit, me kushtin që të shlyhen më vonë, pasi Vllaznia të ketë luajtur në Champions ose në Ligën e Europës, në varësi të renditjes përfundimtare në kampionat.
Këto burime pohuan se një skemë të tillë përdori Tirana sezonin e kaluar, kur rrezikoi të mos licencohej dhe të përjashtohej nga kupat. Në përfundim, kryeqytetasit u ndihmuan nga FSHF-ja dhe morën pjesë me sukses në Champions, e më pas në Ligën e Europës.
Ditët e fundit, drejtuesit e klubit kanë nisur bisedimet me Drejtorinë e Tatimeve dhe janë optimistë se akordi do të gjendet edhe me Federatën. /abcnews.al