Përfaqësuesin e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të BE-së, Josep Borrel këtë të mërkurë ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin e Kosovës Hashim Thaçi dhe me atë të Serbisë Akleksander Vuçiç.
Informacionet bëjnë me dije se në këtë bisedë është folur për rëndësinë e vazhdimit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Në këtë kontekst është kërkuar që të gjendet një zgjidhje për këtë temë, e cila ka mbetur e bllokuar pas vendosjes së taksës së qeverisë së Kosovës ndaj mallrave serbe.
Presidenti Thaçi përmes një postimi në Facebook ka bërë me dije se ka kërkuar nga Borrell që BE-ja të përmbush premtimin dhe obligimin e saj për liberalizimin e vizave për Kosovën.
“Në këtë bisedë theksova se Kosova është e përkushtuar t’i përfundojë reformat që ka nisur dhe që janë përcaktuese për anëtarësimin e Kosovës në BE, si dhe kërkova që të përmbushet obligimi i BE-së për heqjen e vizave për qytetarët tanë, sepse Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret e nevojshme. Ne u pajtuam rreth nevojës që të vazhdojë dialogu i pakushtëzuar në mes të Kosovës dhe Serbisë, si dhe për domosdoshmërinë e arritjes së marrëveshjes përfundimtare, e cila nënkupton njohjen reciproke ndërmjet dy shteteve”, shkruan Thaçi në postimin e tij. /abcnews.al