BRUKSEL – Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian (BE) për Marrëdhëniet me Jashtë dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell u takua me liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bruksel.
Në darkën jozyrtare të organizuar nga Borrell morën pjesë kryeministri shqiptar Edi Rama, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Jashtme e Kosovës Donika Gervalla-Schwarz, presidenti serb Aleksandar Vuçiç, kryeministri i Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski dhe anëtari serb i Këshillit Presidencial të Bosnje-Hercegovinës Millorad Dodik.
Në takim u diskutuan ndikimet rajonale dhe globale të sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës.
“Rusia dëshiron të shfrytëzojë dobësitë tona dhe të rajonit. Ne duhet të punojmë së bashku për të mos lejuar Rusinë t’i përdorë ato”, tha shefi i diplomacisë evropiane.
Borrell deklaroi se BE-ja e sheh Ballkanin Perëndimor jo si oborrin e saj, por si pjesë të gjeografisë së saj.
“Ne duhet të veprojmë së bashku kundër veprimeve shkatërruese të Rusisë në rajon, qofshin këto dezinformata apo sulme kibernetike. Jam i kënaqur që shumica e partnerëve tanë në Ballkanin Perëndimor qëndrojnë në anën e njëjtë me BE-në që nga dita e parë e reagimit ndaj sulmit të Rusisë në Ukrainë”, tha Borrell.
Borrell tha se çështja e Ballkanit Perëndimor do të diskutohet në detaje gjatë takimit të Ministrave të Jashtëm të BE-së që do të mbahet më 16 maj, ndërsa shtoi se në takim do të ftojë edhe ministrat e Jashtëm të vendeve të rajonit. /ATA