Borrell: Nëse Kosova dhe Serbia s’kontribuojnë në shtensionim, do të ketë kosto

schedule15:14 - 29 Qershor, 2023

schedule 15:14 - 29 Qershor, 2023

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell ka deklaruar sot se do të kërkojë nga shtetet anëtare që të bëjnë presion ndaj Kosovës dhe Serbisë që të shmanget përshkallëzmi dhe që gjendja të kthehet në normalitet.

Para fillimit të samitit dyditor të udhëheqësve të BE-së, Borrell ka thënë se nëse vendet nuk kontribuojnë në depërshkallëzimin e situatës do të ketë kosto.

Tensionet në veri të Kosovës kanë filluar më 26 maj, kur kryetarët e zgjedhur në Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq kanë shkuar në objektet komunale, të asistuar nga Policia e Kosovës. Situata ka eskaluar më datën 29 maj, kur grupet kriminale kanë sulmuar Policinë e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it, ku rreth tridhjetë prej tyre kanë mbetur të lënduar.

Komuniteti ndërkombëtar i ka drejtuar tri kërkesa kryeministrit Kurti, lidhur me situatën në veri: Shtensionimin e situatës atje, mbajtjen e zgjedhjeve të reja dhe kthimin në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Ndërsa, Kurti ka paraqitur pesë pika për situatën në veri, ku fokus sipas tij, duhet të jetë sundimi i ligjit në katër komunat veriore.

Ndërkohë, situata e sigurisë në Kosovë dhe procesi i normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi do të diskutohen sot dhe nesër nga udhëheqësit e vendeve anëtare të BE-së në Bruksel./KosovaPress

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!