Përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, ka theksuar se inkurajon Kosovën dhe Serbinë që të zhvillojnë një dialog në frymën e kompromisit dhe pragmatizmit.
Këto komente Borrell i ka bërë pak para fillimit të takimit me kryeministrin e Kosovës Avdullah Hoti dhe presidentin e Serbisë Aleksandër Vuccicc, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
“Pres diskutim konstruktiv që do t’i kontribonte normalizimit gjithëpërfshirës të raporteve ndërmjet dy vendeve”, tha Borrell në adresimin e tij.
Borrell tha se i vjen mirë që BE-ja e ka rikthyer rolin udhëheqës të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Borrell dhe Lajçak do të takohen fillimisht me kryeministrin Hoti dhe pastaj me presidentin Vuçicc. Më pas, do të kalojnë në të ashtuquajturin takim trepalësh.
Dialogu virtualisht rifilloi më 12 korrik, ku palët biseduan përmes një video- konference, por takimi i sotëm paraqet bisedimet e para të drejtëpërdrejta pas 20 muajsh.
Në një video-konferencë të mbajtur më 12 korrik, palët kanë rënë dakord për një agjendë të takimit. Ata njoftuan se, ndër të tjera, do të diskutohet për të pagjeturit, por zyrtarët e BE-së të përfshirë në dialog nuk i konfirmuan këto pretendime, duke theksuar vetëm se “ekziston një agjendë për bisedimet”./abcnews.al