TIRANË– Kryeministri i vendit, Edi Rama, u shpreh se ka marrë një ftesë zyrtare nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Donald Trump për të vizituar Washingtonin në ditët në vijim, me rastin e themelimit zyrtar të Bordit të Paqes.
Në podkastin “Flasim”, Rama theksoi se pjesëmarrja në këtë iniciativë përfaqëson një nivel të lartë angazhimi në diskutimet mbi të ardhmen e paqes dhe rolin e Shqipërisë në çështjet globale.
“Shënimi i fundit është i lidhur me jetën ndërkombëtare, nëse mund ta quaj kështu. Më ka ardhur këtë javë ftesa nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara për të vizituar Uashingtonin në ditët në vijim për atë që e kam paralajmëruar, kur ajo tufa e bombave artizanale, plaste dhe kërciste edhe në sallën e Kuvendit, me gjithfarëlloj pretendimesh që sot i nxjerrin përsëri qesharakë, duke thënë se unë nuk shkoj dot, se mua s’më kanë ftuar,se,se,se… Dhe faktikisht, siç e paralajmërova, do të jem në Uashington për themelimin zyrtar të Bordit të Paqes dhe për fillimin e aktivitetit të atij bordi, ku Shqipëria ka privilegjin të jetë shtet themelues dhe ku Shqipëria nuk do të kontribuojë me para për t’u anëtarësuar apo për të qëndruar si anëtare e përhershme, por kontribuon me dinjitetin dhe me atë që e ka bërë të respektohet ndërkombëtarisht dhe të ftohet, deri në këtë nivel kaq të lartë të diskutimit mbi të ardhmen e paqes.”, tha Rama.


