Bonus për binjakët e trinjakët/ Rama: Rezultat i konsolidimit të ekonomisë

schedule18:33 - 26 Shtator, 2018

schedule 18:33 - 26 Shtator, 2018

Në fushatën e anëtarësimeve të reja në Partinë Socialiste dhe llogaridhënies së drejtuesve vendorë, kryeministri Edi Rama i ka mëshuar sërish vendimit të qeverisë për rritjen e shpërblimit të çifteve që sjellin në jetë fëmijë. Kështu, kryeministri sqaroi se përveç atyre që sjellin në jetë fëmijën e parë dhe që do të marrin 400 mijë lekë, fëmija i dytë 800 mijë dhe i treti 1 milion e dyqind mijë, Rama foli edhe për rastet kur ka binjakë apo trinjakë.

“Çdo fëmijë që lind në Shqipëri kur lind është fëmija i parë mos të marrë më atë bonusin prej 50 mijë lekësh, por të marrë 400 mijë lekë që nga 1 janari i vitit të ardhshëm, fëmija i dytë 800 mijë lekë, dhe fëmija i tretë 1 milion e 200 mijë lekë. Kur janë binjakë, do marrin të dy sikur janë të dytë, pra 800 edhe 800. Kur janë trinjakë të marrin të tre sikur janë të tretët tre herë nga një milion e 200”, u shpreh Rama.

Për kryeministrin kjo është një masë e arsyeshme dhe pozitive që vjen sot në bazë të mundësive të krijuara, si rezultat i reformave dhe konsolidimit të ekonomisë.

“Nuk është çështja që t’i hyjmë kësaj pune për 400 mije lekë nëse shohim si e bëjnë vendet e tjera me këto shifra ne nuk jemi të fundit nga ata që e bëjnë. Ka vende të zhvilluara që e bëjnë vetëm për familjet në nevojë, ka vende që e bëjnë për të gjithë. Është një masë e arsyeshme pozitive që nuk vjen sot ngaqë na lindi sot në zemër që ta bëjmë, por sepse sot na u krijua mundësia.  Çdo prind sot në moshën e Pandit dhe timen që jam shumë më i ri se Pandi duhet ta kuptojë se reformat nuk mund të sjellin dot atë që prindërit kanë dashur dhe merituar për vete, por për atë që duan dhe meritojnë fëmijët e tyre, sepse janë rezultatet që do të vijnë në kohë. Kjo është rezultat i reformave dhe konsolidimit të ekonomisë dhe financave”.

Rama përmendi gjithashtu edhe rritjen e pagave për mësuesit dhe ushtrinë.

“Jemi në këto kushte dhe kemi mundësi të re. Kemi mundësinë të rrisim pagat për mësuesinë dhe ushtrinë pas shumë vitesh, ndërkohë që kemi rritur pagat për policinë më shumë se asnjëherë më parë tani do fokusohemi në këto 3 fusha, do rrisim pagat për mësuesit, mjekët, infermierët, ushtrinë, por edhe të tjerët”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!