Izolimi prej 14 ditësh për stafin dhe futbollistët e Juventusit ka mbaruar sot. Që pas ndeshjes me Interit ata u futën në karantinë, ku ishte Rugani që doli i pari pozitiv me Covid-19. Më pas u infektuan dhe Matuidi e Dybala. Për këtë periudhë ka folur mbrojtësi juventin, Leonardo Bonucci, i cili ka rrëfyer momentet e vështira si dhe për jetën e tij personale.
“Unë jam mirë, por këto ditë kanë qenë të vështira. Vetëizolimi ka përfunduar sot për të gjithë ata që nuk shfaqën simptoma dhe unë isha me fat. Këto ditë në shtëpi nuk kanë qenë edhe aq të mërzitshme, pasi kalova shumë kohë me gruan dhe fëmijët e mi”, tregon Bonnuci për “JTV”.
“Çdo mëngjes merrnim ushtrimet që duhet të bënim gjatë ditës. Unë zakonisht stërvitem rreth orës tre të pasdites, ku fillimisht bëj biçikletë dhe më pas pompa dhe ushtrimet që kemi të programuara. Fatmirësisht kam pak terren të pjerrët në kopështin tim, ku mund të bëj sprinte”, vazhdon mbrojtësi i “Zonjës së Vjetër”.
“Këto ditë kam luajtur dhe me djalin tim, Lorenzon, në kopësht. Madje kemi vendosur që ta bëjmë këtë gjë të paktën një herë në ditë. Një ndër pasionet e mia është peshkimi dhe kur isha fëmijë shkoja shumë shpesh me gjyshin. Më pëlqen shumë Checco Zalone dhe filmat e tij. Ndërsa momenti më i vështirë në jetën time ka qenë ajo periudhë e vështirë që kaloi djali im, Matteo, por që fatmirësisht ai është mirë tani,” mbyll lojtari i kombëtares italiane. /abcnews.al