Bonera: Ishim Milan krejt tjetër, mëkat që e pësuam atë gol

schedule22:36 - 26 Nëntor, 2020

schedule 22:36 - 26 Nëntor, 2020

Milani barazoi me Lille 1-1 në sfidën e Europa League dhe renditet në vendin e dytë në grup. Kuqezinjtë shënuan të parët me Samu Castillejo, por nuk e ruajtën dot epërsinë. Daniele Bonera, i cili e drejtoi skuadrën në mungesë të Stefano Pioli (i infektuar me COVID-19), u shpreh i kënaqur me lojën e futbollistëve kuqezinjve, ndërkohë që fshehu zhgënjimin për rezultatin.

“Kemi bërë një paraqitje të mirë dhe është mëkat që u hutuam te situata e golit të kundërshtarit. Ekipi po e kontrollonte ndeshjen. Ishte një Milan krejt ndryshe nga përballja e parë në ‘San Siro’. jemi të kënaqur me shpirtin e garës që shfaqi ekipin, mënyrën se si të gjithë po punojnë së bashku. I vetmi zhgënjim është rezultati i ndeshjes”, u shpreh Bonera për Sky Sport Italia.

Në përballjen e sotme nuk ishte në fushë Ibrahimovic, ndërkohë që ishin lënë pushim edhe titullarë të tjerë. “Jemi të kënaqur me djemtë e rinj, ndonjë herë duhet ai shpirti i ri dhe i egër. Është një Milan i ri, me disa lojtarë me eksperiencë si Simon Kjaer, i cili po i jep një dorë të madhe ekipin.

Natyrisht Ibrahimovic është një lojtar i rëndësishëm, por ekipi gjithmonë është përpjekur të luajë në të njëjtën mënyrë, si me Ibrën, si pa të”, u shpreh Bonera, i cili u pyet edhe për Tonalin. “Sandro është në një proces rritjeje, ne kemi besim tek ai dhe ishte deciziv në ndeshjen e sotme. Jemi shumë të kënaqur me të”, mbyll trajneri i Milanit në ndeshjen kundër Lille. /abcnews.al