Bombë në makinë, prokurorit Arian Muça i ofrohet mbrojtja e posaçme

schedule11:44 - 12 Mars, 2021

schedule 11:44 - 12 Mars, 2021

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka marrë në mbrojtje prokurorin Arian Muça pasi makinës së tij iu vendos tritol gjatë mbrëmjes së djeshme.

“Në ushtrim të përgjegjësive tona kushtetuese për mbrojtjen e prokurorëve, në zbatim të ligjit “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë“, Këshilli do t’i sigurojë prokurorit Muça dhe familjes së tij mbrojtje të posaçme”., thuhet në reagimin e KLP-së.

Vendimi i KLP-së vjen pas kërkesës së prokurorit, i cili përmes një letre kërkon mbrojtje pasi ndjehet i kërcënuar.

“Në pritje të përfundimit të hetimit, të cilit e presim me padurim, ajo që ka ndodhur dje mbrëmë në Tiranë duket si një sulm i shënjestruar ndaj prokurorit për shkak të funksionit të tij. Si i tillë, ky sulm përbën një akt të papranueshëm që synon të intimidojë prokurorin dhe të cënojë mirëfunksionimin e sistemit të drejtësisë penale në luftën kundër krimit.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë e konsideron çdo sulm kundër prokurorëve si një atentat terrorist ndaj sistemit të drejtësisë penale, rendit tonë juridik, vlerave tona shoqërore dhe mënyrës tonë të jetesës. Për këtë arsye ne e konsiderojmë mbrojtjen e prokurorëve të Republikës si detyrën numër një të Këshillit. Në ushtrim të përgjegjësive tona kushtetuese për mbrojtjen e prokurorëve, në zbatim të ligjit “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë“, Këshilli do t’i sigurojë prokurorit Muça dhe familjes së tij mbrojtje të posaçme.

Gjithashtu, Këshilli iu bën thirrje të gjitha organeve ligj zbatuese të hetojnë me këmbëngulje dhe përparësi absolute ngjarjen e sotme për të arritur në zbardhjen e saj të plotë dhe të shpejtë. Kjo është mënyra më e mirë për t’i dhënë përgjigjen e duhur krimit dhe për të parandaluar ngjarje të tilla në të ardhmen”, thekson KLP.

Një natë më parë, makinës së prokurorit të parkuar në brendësi të një qendre tregtare iu vendos një sasi tritoli. Për fat të mirë shpërthimi shkaktoi vetëm dëme materiale. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!