Ministria ruse e Mbrojtjes ka reaguar duke i karakterizuar veprimet e anijes britanike “HMS Defender” në Detin e Zi si shkelje të rëndë të Konventës së OKB për Ligjin e Detit. Pala ruse pretendon se anija hyri në ujërat territoriale të saj dhe i bëri thirrje palës britanike të hetojë veprimet e ekuipazhit të saj.
Por sekretari britanik i Mbrojtjes Ben Wallace duke iu referuar incidentit, tha se nuk ishte asgjë për t’u habitur për Britaninë pasi gjëra të tilla “ndodhin gjatë gjithë kohës” me Rusinë.
“Ne bëjmë atë që është e nevojshme për të siguruar që të mos ketë përshkallëzim ose provokim. Sidoqoftë, ne nuk do të përmbahemi nga respektimi i rregullave të së drejtës ndërkombëtare dhe nga të drejtat tona në det” tha Wallace.
Fillimisht, qeveria britanike mohoi të kishte pasur sulm nga një anije patrulluese dhe një avion rus në drejtim të anijes në Detin e Zi me qëllim paralajmërimin që të largohej. “Ne besojmë se rusët kryen stërvitje artilerie në Detin e Zi duke dhënë një paralajmërim për aktivitetet e tyre“, tha ministria britanike e Mbrojtjes në një deklaratë në Twitter. Por situata ishte më e tensionuar.
Ndërkohë, ministri i Jashtëm ukrainas Dmitry Kuleba e përshkroi incidentin si “një manifestim të politikës agresive dhe provokuese të Rusisë“, e cila është “një kërcënim i vazhdueshëm për Ukrainën dhe aleatët e saj“.
Në një postim në Twitter, Kuleba bëri thirrje për më shumë bashkëpunim midis NATO-s dhe Ukrainës, duke shkruar se “është i nevojshëm një bashkëpunim i ri midis vendeve anëtare të NATO-s dhe Ukrainës në Detin e Zi“.
“HMS Defender” është pjesë e flotës britanike që po zhvillon stërvitje në Detin e Zi, gjë e cila ka nervozuar jo pak Kremlinin. /Abcnews.al