Bolton sqaron Putin

schedule08:25 - 24 Tetor, 2018

schedule 08:25 - 24 Tetor, 2018

Realiteti i ri strategjik detyroi Shtetet e Bashkuara të braktisin traktatin për armët bërthamore me Rusinë. Këtë shpjegim dha të martën në Moskë zyrtari amerikan Xhon Bolton. Në takimin me presidentin Putin, Bolton theksoi se presidenti Trump është i gatshëm për një takim të dytë.

Realiteti i ri gjeo-politik shtyu Shtetet e Bashkuara të braktisin traktatin e vitit 1987 për armët bërthamore. Kështu e argumentoi lëvizjen e fundit të Uashingtonit këshilltari i presidentit Trump për sigurinë kombëtare, Xhon Bolton.

“Kemi një realitet të ri strategjik ku raketat bërthamore nuk janë më një çështje dypalëshe. Tani edhe Kina ka raketa që në bazë të atij traktati do të ishin të paligjshme”, tha Bolton në Moskë, ku u takua me presidentin Vladimir Putin.

Nga ana e tij, Putin u shpreh i habitur nga hapat e papritur të ndërmarrë nga administrata amerikane, të cilat sipas tij nuk i ka provokuar askush.

“Stema e ushtrisë amerikane është me një shqiponjë që në njërën kthetër mban 13 shigjeta dhe në tjetrën një degë ulliri. Pyes veten se mos ju kanë mbaruar ullinjtë dhe ju kanë mbetur vetëm shigjetat”, tha me ironi Putin.

Sidoqoftë, kreu i Kremlinit u shpreh i hapur për të biseduar për problemet dypalëshe me presidentin Donald Trump në një takim të dytë. Bolton tha se Trump do ta mirëpriste një takim të tillë, ndërsa i tha presidentit rus se nuk mban ullinj me vete.

Zyrtari amerikan preku edhe çështjen e ndërhyrjes ruse në zgjedhjet presidenciale, duke thënë se një lëvizje e tillë është joproduktive për Moskën. Në përfundim të takimit, Bolton tha për mediat se takimi i radhës Trump-Putin mund të ndodhë më 11 Nëntor në Paris, një datë që u konfirmua edhe nga këshilltari i Putin për politikën e jashtme, Juri Ushakov./abcnews.al